Ndërlidhjet

KOSOVA SHPALL 15 DITË ZIE PËR PRESIDENTIN RUGOVA


Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova do të varroset të enjten, më 26 janar në Prishtinë. Këshilli ekzekutiv i ceremonive mortore për presidentin e Kosovës ka shpallur 15 ditë zie.
Trupi i pajetë i presidentit do të qëndrojë në hollin e Kuvendit të Kosovës nga nesër deri në ditën e varrimit.
Këshilli Ekzekutiv ka formuar tri grupe punuese të cilat do të merren me çështjet organizative të ceremonisë mortore, ka bërë të ditur pas mbledhjes së këtij këshilli, kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci.
“Janë formuar tri grupe kryesore pune, grupi për protokoll, ai për bashkëpunim me media dhe grupi për siguri. Ajo që vlen të theksohet është bashkëpunimi i plotë i institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare”.
Ndërkohë, Muhamet Hamiti nga grupi punues për komunikim me media njoftoi se grupi ekzekutiv ka shpallë 15 ditë zie, të cilat do fillojnë nga nesër.
“Një informacion themelor që është i nevojshëm që nga ky moment është që do të ketë 15 ditë zie. Dita e enjte më 26 janar dita e varrimit të presidentit do të jetë ditë kur sdo të ketë punë, ditët prej të hënës deri të enjtën do të jenë ditë kur do të pushojnë shkollat në të gjitha nivelet, ndërsa në ditët e tjera nuk do të ketë aktivitete kulturore dhe sportive”.
Këshilli Ekzekutiv, ka vendosur që përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë ta mbajë Shërbimi Policor i Kosovës. “Dua të theksoj se çështjen e sigurisë për herë të parë e merr me përgjegjësi të plotë SHPK-ja dhe pastaj do të ndihmohet edhe nga strukturat tjera, policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i. Në fakt krejt projekti si bartës kryesorë i ka institucionet vendore sepse ne e dimë e ka të bëjë me njeriun tonë që na ka udhëheq një kohë të gjatë dhe ishte ideator i çdo gjëje”, tha kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci.
Ndryshe, që nga orët e mëngjesit qindra qytetarë dhe personalitete të shumta të jetës politike dhe publike kanë vërshuar drejt rezidencës së presidentit Ibrahim Rugova për t’i bërë homazhe presidentit të ndjerë. Rrugët që çojnë në lagjen Velania kanë qenë të bllokuara për automjetet.
Ndërkaq, Shërbimi Policor i Kosovës ka njoftuar sot se për shkak të homazheve publike, që fillojnë nga nesër, e të cilat do të kryhen në ndërtesën e kuvendit të Kosovës, Sheshi Nëna Tereze, përkatësisht rruga nga hoteli Grand deri tek ndërtesa e Kuvendit nga mesnata e sotme deri të enjten do të jetë i mbyllur për automjete. Qytetarët nesër do të mund të bëjnë homazhe nga ora 12 deri në orën 18, ndërkaq të martën dhe të mërkurën nga ora 9 deri në orën 18. Homazhet bëhen edhe paraditen e së enjtes, deri para nisjes së funeralit për në ceremoninë qendrore dhe varrimin, që do të bëhet në Prishtinë. Qytetarët e Kosovës do të mund të shkruhen në Librat e Zisë për Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Librat do të vendosen në të gjitha komunat e Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare dhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ndërkaq, Libri i Zisë për Korin Diplomatik do të vendoset në Kuvendin e Kosovës.

Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG