Ndërlidhjet

SITUATA E SIGURISË ËSHTË E QETË


Albana Isufi, Prishtinë

Shërbimi Policor i Kosovës ka marrë të gjitha përgjegjësitë që të ruajë sigurinë gjatë tërë kohës sa do të kryhen ceremonitë mortore për presidentin Ibrahim Rugova, i cili vdiq të shtunën pas një beteje me kancerin në mushkëri.
Zëdhënësja e Shërbimit Policor të Kosovës Sabrije Kamberi, thotë se aktualisht situata e sigurisë në tërë Kosovës është e qetë dhe stabile.
“Konsiderohet si (situatë) stabile, është çdo gjë në rregul, Shpresojmë se edhe gjatë ditëve të ardhshme të jetë kështu sikur që është duke shkuar tani në ditën e sotme”.
Vlerësim të njëjtë për situatën e sigurisë jep edhe shefi për informim i KFOR-it Pio Sabeta.
“Deri tash nuk ka ndonjë ndryshim në vlerësimin tonë për situatën e sigurisë në Kosovë. Siguria e brendshme është përgjegjësi e policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së dhe ne po punojmë ngushtë me ta për të siguruar se çdo gjë është në rregull”, tha Sabeta.
Ndërkohë, Shërbimi Policor i Kosovës tashmë ka bllokuar rrugën “Nënë Tereza”, në të cilën nga mëngjesi i sotëm qytetarët nga vise të ndryshme të Kosovës po presin në radhë për t’i bërë homazhe presidentit Rugova, trupi i të cilit gjendet i shtrirë në ndërtesën e Kuvendit. Zëdhënësja e SHPK-së Sabrije Kamberi shpjegon më hollësisht.
“Është e bllokuar tërësisht rruga “Nëna Tereze” ku qytetarët duhet të defilojnë nga hoteli Grand deri në ndërtesën e Kuvendit, pastaj hyrjet dhe daljet në Prishtinë për mjetet transportuese janë të bllokuara. Policët të gjithë janë në terren dhe deri tash sipas informatave të fundit është duke u zhvilluar trafiku në rrjedha normale”.
Kamberi thotë se derisa të kryhen të gjitha ceremonitë mortore për presidentin Ibrahim Rugova, pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës do të qëndrojnë të mobilizuar.
“Policët tanimë janë në të gjitha rrugët e Prishtinës dhe jo vetëm të Prishtinës, por në tërë Kosovën të angazhuar maksimalisht, në mënyrë që kjo ceremoni të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Policët janë në të gjitha udhëkryqet në mënyrë, që të mos krijohen radhët e automjeteve, por edhe të qytetarëve.”
Këshilli ekzekutiv i varrimit të presidentit të Kosovës ka vendosur dje që për të gjitha masat e sigurisë gjatë periudhës së ceremonive mortore të kujdeset Shërbimi Policor i Kosovës. Në rast nevoje SHPK do të ndihmohet nga policia e UNMIK-ut dhe e KFOR-it.



XS
SM
MD
LG