Ndërlidhjet

JETËSIMI I KOSOVËS SË PAVARUR DHE DEMOKRATIKE- NDERIMI MË I MADH PËR RUGOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dhjetëra burrështetas, qeveritarë dhe përfaqësues të tjerë nga vende të ndryshme anembanë botës dhe udhëheqës të institucioneve vendore dhe të partive politike, i bënë nderimet e fundit presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, që ndërroi jetë të shtunën më 21 janar. Nderimi më i madh që mund t’i bëhet kujtimit për presidentin Rugova është sendërtimi i vizionit të tij për Kosovën e pavarur dhe demokratike, thanë folësit, duke e përkujtuar figurën e presidentit Rugova. Shefi i UNMIK-ut, Jessen Petersen tha se në kohën kur Rugova nisi veprimin e tij politik, një pjesë e botës mendonte ndryshe, ndërsa tash bota ka ardhur këtu për t’iu bashkuar popullit të Kosovës në pikëllimin për presidentin Rugova:
"Për të gjallë iu përkushtua një qëllimi politik, por nuk ia arriti që ai qëllim të përcaktohet krejtësisht nga ai, ai ishte baba i Kosovës, por edhe i familjes së tij," tha zoti Petersen, për të porositur se vizioni i presidentit Rugova mund të përmbushet me unitet dhe përkushtim:
"Presidenti Rugova la një zbrazëtirë pas tij, por gjithashtu la një vizion për ta udhëhequr Kosovën përpara," tha zoti Petersen, sipas të cilit përmbushjen e këtij vizioni zoti Rugova nuk arriti ta shohë, por që kjo ambicie do të jetë e mundur të përmbushet duke qenë të bashkuar dhe të përkushtuar dhe ky do të ishte nderimi i vërtetë për presidentin Rugova.
Ndërkaq, kryeministri Bajram Kosumi tha se emri i presidentit Rugova është i lidhur pashkëputshëm me pavarësinë e Kosovës, që e bëri të njohur kudo në botë:
"Vdekja e presidentit Rugova në periudhën më të rëndësishme për Kosovën shton nevojën për një unitet edhe më të madh të popullit dhe udhëheqjes së tij për ta rrumbullakësuar procesin e gjatë dhe të mundimshëm për liri dhe për krijimin e shtetit modern dhe demokratik të Kosovës".
Kryeministri Kosumi premtoi se rruga e Dr. Rugovës do të vazhdohet me vendosmëri nga institucionet e Kosovës:
"Bashkërisht do ta shndërrojmë në realitet vizionin e presidentit Rugova për një shtet të ri demokratik dhe evropian me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Ky është nderimi më i madh dhe shpërblimi i merituar për presidentin Rugova", tha kryeministri Kosumi, ndërkohë që miku shumëvjeçar i presidentit Rugova, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana tha se Rugova ishte njeri i vendosur, por paqësor:
"Ibrahim Rugova ishte njeri që jetën e tij ia përkushtoi mbrojtjes së të drejtave të popullit të Kosovës. Ishte i vendosur dhe i fuqishëm, por edhe njeri i paqes dhe i përkushtuar që synimet e tij t’i arrijë me mjete paqësore," tha zoti Solana për të vazhduar:
"Kjo është ndër ironitë më të mëdha të historisë që ai shkoi në momentin kur nevojitej më së shumti për të udhëhequr popullin e Kosovës për të ndihmuar zgjidhjen e statusit të Kosovës," tha Solana, për të shfaqur shpresën se trashëgimia e tij do të vazhdojë ta udhëheqë Kosovë në këtë moment të vështirë, kur liderët e Kosovës duhet të shfaqin unitet, përgjegjësi dhe zemërgjerësi.
Ndërkaq, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, themelues i të cilës ishte Dr. Ibrahim Rugova, zoti Kolë Berisha, tha se Rugova u ngrit në kohën më të rëndë për shqiptarët e Kosovës:
"Shkrimtari 40 vjeçar atëherë, duke iu përgjigjur zërit të atdheut la mënjanë punën e letrave shqipe dhe bashkë me një grup intelektualësh shqiptarë, me një program më shumë kombëtar sesa partiak, formoi lëvizjen e parë legale demokratike shqiptare në ombrellën e të cilës filloi veprimin politik".
Kryesuesi i delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alfonso Jackson tha se sot na la një person i madh, një shkollar, demokrat, njeri i paqes dhe i përkushtuar ndaj vendit dhe tokës së tij, një mik i vërtetë i Amerikës që kishte respektin e amerikanëve, ashtu si edhe të botës demokratike:
"SHBA janë të përkushtuara ndaj vizionit të presidentit Rugova dhe të popullit të Kosovës dhe prosperitetit, si shtëpi për gjithë popullin e saj, si pjesë e Evropës dhe e perëndimit," tha sekretari Jackson, duke bërë thirrje për të mos u shmangur nga rruga që ka trasuar presidenti Rugova:
"Tani është koha që të bëhemi bashkë dhe ta kompletojmë punën e presidentit Rugova dhe ta negociojmë të ardhmen e Kosovës, për të ndërtuar këtë vend, ju lus të mos shmangeni nga kjo rrugë," tha sekretari Jackson, ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, duke iu drejtuar për herë të fundit presidentit Rugova, tha:
"Presidenti ynë i dashur! Pushoni i qetë në parajsën e gjithësisë, pasi në këtë botën tonë kalimtare asnjëherë nuk gjetët kohë pushimi, njëherë nga puna për ekzistencë, për dijë e penë e krijimtari e në dy dekadat e fundit nga puna prej arkitekti dhe strategu politik e diplomatik për Kosovën e lirë, të dinjitetshme e të pavarur".
Kryeparlamentari Nexhat Daci tha se Presidenti Rugova e përmbushi ëndrrën për të bërë themelet që Kosova të jetë shtet i lirë e i pavarur.
Pas këtyre fjalimeve, në ceremoninë e fundit mortore, garda ceremoniale e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës e ka nxjerrë arkivolin e presidentit Rugova nga salla 1 tetori dhe përcjellë nga familja dhe qytetarët, kortezhi i përmortshëm është nisur për në varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës.

XS
SM
MD
LG