Ndërlidhjet

ISH PRESIDENTI KLINTON MBLEDH FOND PËR TË LUFTUAR SIDA-N


Julie Corwin

90% e të infektuarve me virusin HIV në vendet në zhvillim nuk e dinë se janë të prekur, vlerësojnë specialistët. Shumica e tyre asnjëherë nuk testohen, çfarë do të ulte numrin e të infektuarve të rinj. Këtë muaj Fondacioni Klinton, i drejtuar nga ish presidenti amerikan, ka rënë dakord me prodhuesit, që të përgjysmojnë çmimin e testeve të shpejta si dhe të ulin çmimin për mjekimin antiretroviral, më efikasi deri tani.
Ky fondacion dërgoi këtë muaj ekipin e parë në Ukrainë, që do ndihmojë në administrimin e terapisë për të infektuarit me HIV.
Trajtimi antiretroviral është më i kushtueshmi për personat e prekur nga virusi HIV. Kjo bën që qeveritë e vendeve të varfëra apo në zhvillim, të mos shpenzojnë fondet e tyre edhe ashtu të kufizuar në personat e infektuar, të cilët zakonisht i takojnë grupimeve të tilla si të droguar apo prostituta.
Në shtator të vitit 2004 mbi 2400 pacientëve në Ukrainë iu është dhënë mjekim antiretroviral, çfarë bëri që 6 muaj më vonë 90% e tyre të ishin gjallë dhe të vazhdonin kurimin.
Por Kombet e Bashkuara kanë llogaritur se 17 mijë persona në Ukrainë kanë nevojë për një mjekim të tillë. Dipak Verma, shefi i operacionerëve për iniciativën në luftën kundër SIDA-s në fondacionin Klinton, thotë se ka dallim të madh mes kërkesës dhe ofertës për këto medikamente.
"Do t'ju thosha se ka një dallim të madh në mes të atyre që kanë nevojë të marrin mjekimin në fjalë dhe sa pacientë aktualisht kanë qasje në këtë mjekim", thotë Verma.
Por më tej ai shton se qeveria në Ukrainë ka bërë shumë krahasuar me mundësitë.
"Për shembull qeveria ka mandatuar që pushteti lokal të ndajë një pjesë nga buxheti për të testuar së paku 5 % të popullsisë. Tani ata po përdorin mekanizmat financiarë të krijojnë fonde apo të testojnë më shumë", thotë Verma.
Testimit të popullsisë i kushtohet një vëmendje e madhe kur virusi ka hyrë në një fazë të re, që nuk prek vetëm punonjësit e seksit apo përdoruesit e drogave. John Tedstrom shpjegon:
"Ajo çfarë po shohim është zhvendosja e epidemisë nga grupet e zakonshme me rrezikshmëri të lartë në popullsinë e përgjithshme dhe kjo bëhet kryesisht përmes seksit të pambrojtur mes personave me gjini të ndryshme. Kjo është ajo që po ndodh kryesisht në mesin e të rinjve në Ukrainë apo Rusi.", thotë John Tedstrom, nga një organizatë joqeveritare e specializuar në këto probleme me qendër në Nju Jork.
Testimi vlerësohet si element kyç në parandalimin e virusit. Natyrisht jo të gjithë të infektuarit sillen në mënyrë të përgjegjshme, por së paku ata kanë mundësi të vendosin për sjelljen e tyre.
Dhe nëse tek mjekimi antiretroviral do kenë qasje ata që kanë nevojë atëherë SIDA nuk është kaq frikësuese.
"Nëse njerëzit e dinë se janë të infektuar dhe se kanë mundësit të mjekohen, atëherë rriten gjasta për të jetuar më gjatë. Në këto kushte mundësia që të infektuarit të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të ulin numrin e rasteve të reja rritet së tepërmi", tha presidenti Klinton, fondacioni i të cilit është i përfshirë aktivisht në këto përpjekje. Antropologët thonë se nëse ka mjekim relativisht efikas për sëmundjen, atëherë ulet dhe shkalla e paragjykimeve për këta të infektuar në shoqëri. E me zvogëlimin e paragjykimeve mund të ulet dhe droja për t'u testuar.


XS
SM
MD
LG