Ndërlidhjet

LDK: KANDIDATI PËR PRESIDENT DO SHPALLET PAS PERIUDHËS SË ZISË


Albana Isufi, Prishtinë

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk ka caktuar ndonjë kandidat të saj për president të vendit, megjithë njoftimet e Qendrës për Informim të Kosovës se Fatmir Sejdiu është kandidati i LDK-së për të trashëguar postin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
Kjo agjenci e lajmeve, që është e afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka bërë të ditur sot se për kandidaturën e Fatmir Sejdiut është vendosur me një konsensus të plotë, pas një diskutimi në mbledhjen e kryesisë së LDK-së.
Por, zëdhënësi i LDK-së Lulëzim Zeneli ka mohuar këtë informatë. Pas takimit të kryesisë së LDK-së, që u mbajt në rezidencën e presidencës në lagjen Velania, Zeneli tha se kryesia, vendimet për të caktuar kandidatët për presidentë të vendit dhe të partisë, do t’i marrë pasi të ketë përfunduar periudha e zisë për presidentin e ndjerë.
“Ne kemi deklaruar edhe më herët se tash për tash nuk diskutohet dhe se nuk është kjo pjesë e debatit brenda kryesisë dhe të gjitha vendimet e kryesisë do të publikohen pas zisë”.
Por, kandidatura e mundshme e anëtarit të kryesisë së LDK-së Fatmir Sejdiu, është mirëpritur nga shefi i zyrës amerikane ne Prishtinë Filip Goldberg. Kreu i zyrës amerikane ka pohuar pas një takimi me Ministrin e Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri se një njeri si zoti Sejdiu do të përbënte president konsensual.
“Nuk e di nëse ka pasur një njoftim të tillë zyrtar, unë me zotin Haziri e kam diskutuar decentralizmin në prag të vizitës së zotit Rohan. E di se zoti Sejdiu do jetë njeri shumë i mirë dhe e kam parë një komunikatë për media sot herët , por nuk e di nëse është koha të thuhet tani çka do, përderisa vendimi të mos konfirmohet dhe unë nuk di se çka është konfirmuar”, ka thënë Goldberg, duke shpjeguar më pas atë që më herët kishte deklaruar për nevojën që postin e presidentit Rugova ta trashëgojë një president konsensual.
“Ajo që kam menduar me president konsensual ka qenë që të jetë dikush që ka përkrahje të gjerë dhe unë besoj se dikush si zoti Sejdiu do ketë përkrahje të gjerë”, tha Goldberg.
Në anën tjetër Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, njëherësh anëtar i kryesië së LDK-së, nuk ka dashur të komentojë takimin e sotëm të kryesisë dhe të flasë për kandidatët e mundshëm për presidentë.
“Zëdhënësi i LDK-së e ka dhënë deklaratën sot dhe ne jemi në ato qëndrimet e tij, kështu që gjithshka tjetër është e tepërt për t'u thënë".
Korniza Kushtetuese parasheh që presidenti duhet të zgjidhet nga dy të tretat e Kuvendit. Nëse pas dy raundeve të votimeve nuk sigurohen dy të tretat e votave, atëherë raundi i ardhshëm për të zgjedhur presidentin varet nga votat e shumicës së deputetëve të pranishëm në sallë.
Por, një procedurë e tillë pritet të ndërmerret pas përfundimit të periudhës së zisë, përkatësisht pas 6 shkurtit.
Ndryshe, të gjitha institucionet në Kosovë po respektojnë këtë periudhë zie, përderisa varri i presidentit Rugova ,i cili ndërroi jetë më 21 janar, po vazhdon të vizitohet nga shumë qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm të institucioneve.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG