Ndërlidhjet

JUDAH:"FUQITË PERENDIMORE JANË MARRË VESH PËR PAVARËSINË E KUSHTËZUAR"


Tim JUDAH, analist britanik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, çfarë ndikimi do të ketë vdekja e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në skenën politike dhe në vetë procesin negociator për definimin e statusit?

TIM JUDAH
Në një afat më të gjatë, nuk mendoj se vdekja e presidentit do të ketë edhe aq shumë ndikim. Mendoj se Kosova tashmë është e vendosur në një drejtim të caktuar dhe ka ide të caktuara se çfarë duhet bërë me Kosovën. Nuk mendoj se vdekja e një individi do të ketë aq shumë ndikim. Në afat më të shkurtër ndërkaq, mund të ketë implikime nëse ndikon tek Grupi Negociator, në dinamikën e punës së këtij Grupi dhe udhëheqjen e tij. Por, kjo mbetet të shihet nga fakti se kush do të jetë presidenti i ardhshëm, kush do të jetë udhëheqësi i ri i Grupit…Nëse ka shumë kundërshtime në të ardhmen, atëherë procesi negociator dhe çështja e statusit do të zvarriten. Nëse i tërë procesi shkon me lehtësi, atëherë ndikimi nuk do të jetë edhe aq i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet zyrtare mbi statusin pritet të fillojnë nga mesi i muajit shkurt me një takim mbi çështjen e decentralizimit. Negociatorët ndërkombëtarë kanë thënë se ata janë të gatshëm, por sa është e gatshme Prishtina dhe Beogradi sipas jush?

TIM JUDAH
Mendoj se e gjithë kjo varet nga zgjidhja e disa çështjeve në Prishtinë. Nëse marrëveshja është arritur, jo edhe aq domosdoshmërisht për presidentin e ri të Kosovës, por për udhëheqësin e ri të Grupit Negociator, dhe nëse Prishtina nuk është tani e gatshme, atëherë nuk do të jetë kurrë. E njejta gjë vlen edhe për Beogradin. Unë do të rikujtoja atë çfarë ka thënë Kai Eide, ambasadori norvegjez në NATO i cili vitin e kaluar hartoi raportin, për çështjen e statusit; ai pat thënë se asnjëherë nuk do të jetë kohë e përshtatshme për ta diskutuar statusin dhe mendoj se e njejta përgjigje mund të jipet edhe në pyetjen tuaj. Askush asnjëherë nuk do të jetë mjaft i gatshëm, prandaj koha e tashme mund të jetë e përshtatshme.

RADIO EVROPA E LIRË
I dërguari i posaçëm për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, ka thënë se kontrata e tij në këtë funksion skadon në nëntor të këtij viti. A mendoni se është reale të pritet që procesi negociator të përfundojë deri atëherë?

TIM JUDAH
Mendoj se mund të jetë reale nëse gjërat fillojnë të lëvizin relativisht shpejtë. Në këtë kuadër, ka gjëra të cilat nuk janë paraparë dhe që mund të ketë vonesa të caktuara, siç ishte për shembull vdekja e presidentit. Këto zhvillime nuk mund të jenë paraparë në kontratë. Prandaj, nuk mendoj se zoti Ahtisaari do të largohej nga procesi dhe vetë bisedimet nëse do të duheshin edhe 3 ose 6 muaj shtesë. Nëse flasim për vite të tëra, atëherë me siguri ai do të largohej. Gjithashtu jam i mendimit se ideja e përcaktimit të një afati të kufizuar dhe prononcimet e këtilla janë të qëllimshme për ta bërë të qartë se “kohën e kemi të kufizuar, nuk do të merremi me këtë çështje përgjithmonë dhe nuk do ta lejojmë të zvarritet përgjithmonë, sepse në të kundërtën një gjë e këtillë mund të ndodhë, sikur që ka ndodhur në Lindjen e Mesme”.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi ju keni shkruar se do të ishte më mirë nëse pala shqiptare njoftohet që më parë me rezultatin e bisedimeve, sepse e këtillë do të ishte më e gatshme për të bërë kompromis rreth çështjeve që kanë të bëjnë me pakicën serbe. Pse nuk po ndodhë nëj gjë e këtillë?

TIM JUDAH
Unë kam thënë se kam kuptuar që ekzistojnë dy rryma në mes të vendeve të rëndësishme të Grupit të Kontaktit. Këto vende nuk kanë mosmarrëveshje rreth pavarësisë së kushtëzuar, unë besoj se ka mendime të ndryshme në mes tyre për taktikën se si të arrihet deri tek kjo zgjidhje. Francezët janë më pak të gatshëm të flasin për pavarësinë e kushtëzuar tash, sepse mendojnë se nëse kjo ndodhë, atëherë serbët nuk do të angazhohen në process. Pikëpamja e britanikëve, e cila nuk është pikëpamja ime, por e mbështesë në tërësi, është e kundërt. Britanikët pohojnë se është më mirë të flasësh tani për pavarësinë e kushtëzuar dhe të sinjalizohen udhëheqësit shqiptarë se procesi është duke shkuar në këtë drejtim, sepse duke e ditur rrugën që ka marrë Kosova, shqiptarët do të ishin më të gatshëm për kompromise dhe për t’u ofruar serbëve më shumë në kuptimin e decentralizimit. Me këtë e kisha përmbledhur pra debatin diplomatik që po ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa diplomatë dhe vëzhgues ndërkombëtarë kanë thënë se bisedimet në fakt nuk kanë të bëjnë me statusin e Kosovës, por me statusin e serbëve në Kosovë. A pajtoheni edhe ju?

TIM JUDAH
Në një masë të madhe po. Mendoj se fuqitë më të mëdha, Britania, Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, pak a shumë kanë vendosur se Kosova do të fitojë pavarësinë e kushtëzuar. Prandaj, diskutimet tani do të përqëndrohen, jo ndoshta edhe aq shumë në mënyrën se si Kosova po udhëhiqet në aspektin e brendshëm, por në mënyrë specifike mbi statusin e serbëve brenda Kosovës, sepse për të qenë real, pakica serbe është e vetmja që ka ndikim politik. Dhe kjo është arsyeja pse raundi i parë i bisedimeve mbi decentralizimin nuk është vetëm thjesht një raund i parë bisedimesh por është raundi më i rëndësishëm dhe është çështja më e madhe, pra decentralizimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Moska zyrtare, më saktësisht presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të adoptojë një qasje universale mbi zgjedhjen e statusit të Kosovës. Çfarë do të thotë kjo sipas jush?

TIM JUDAH
Nuk di më shumë se ç’dini ju, por atë që di është se diplomatët rusë thonë një gjë publikisht dhe plotësisht të kundërtën privatisht. Derisa në të kaluarën, rusët i kanë thënë Beogradit dhe opinionit serb se ata do të përkrahin zgjidhjen që e mbështetë Beogradi, diplomatët që unë i njoh dhe që janë të angazhuar në kuadër të Grupit të Kontaktit thonë se rusët nuk janë më duke thënë diçka të këtillë. Ata madje kanë thënë se e pranojnë faktin se pavarësia e kushtëzuar është rruga për të ecur përpara. Unë mendoj se rusët mund ta shfrytëzojnë rastin e Kosovës në cilëndo mënyrë që duan ata dhe do ta bëjnë pikërisht një gjë të këtillë. Në të kaluarën është thënë se rusët nuk janë të gatshëm ta pranojnë pavarësinë e Kosovës sepse kanë menduar se mund të shërbejë si presedan për Çeçeninë. Tash, duket se për rusët është më me interes dhe më e dobishme nëse Kosova bëhet e pavarur kundër dëshirës së Beogradit. Atyre kjo ua mundëson të ushtrojnë trysni mbi Gjorgjinë, ku ekzistojnë dy rajone ruse me tendenca separatiste. Kosova mund të shfrytëzohet nga rusët si një kërcënim për Gjorgjinë, për t’i thënë se nëse nuk bëni çfarë duam ne, atëherë shikoni se çfarë ka ndodhur me Kosovën, për pavarësinë e saj nuk është dashur pajtimi i Beogradit dhe e njejta mund të vlejë rajonin e Abkhazisë dhe Osetisë jugore në Gjorgji.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG