Ndërlidhjet

BAZDNIK: QEVERIA RUSE MBËSHTET DEKLARATËN E GRUPIT TË KONTAKTIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Serbët e Kosovës mund të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin e tyre vetëm përmes pjesëmarrjes në institucionet e zgjedhura, u tha sot pas një takimi që kryesuesi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq zhvilloi me shefin e zyrës ruse në Prishtinë, Sergej Bazdnik. Mirëpo, Ivanoviq tha se i ka sqaruar përfaqësuesit rusë qëndrimin e partisë së tij, se vendimi për pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës, nuk mund të merret pa një mbështetje paraprake nga Beogradi, pasi siç ka thënë ai, asnjë subjekt serb në Kosovë në zgjedhjet e fundit nuk ka fituar numër të mjaftueshëm të votave, që t'i garantonte përfaqësimin e interesave të këtij komunitet në mënyrë të ligjshme. Në anën tjetër, përfaqësuesi rus, Bazdnik ka pohuar se qëndrimi i qeverisë ruse është i qartë për sa i përket pjesëmarrjes në institucione:
“Qëndrimi i palës ruse në këtë çështje është mjaft i qartë dhe se konsiderojmë që mënyra më e mirë që të mbrohen dhe promovohen interesat dhe të drejtat e komunitetit serb është pjesëmarrja në institucione”, tha Bazdnik. Ky vendim tha ai, u takon vet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës. Ndërkohë që Oliver Ivanoviq tha se pret mbështetjen e Beogradit për marrjen e vendimeve konkrete për pjesëmarrjen në institucione. Temë e bisedimeve me përfaqësuesin rus, sipas Ivanoviqit ishin dhe bisedimet për statusin dhe në decentralizimi, që sipas tij do të jetë pika e parë e negociatave për statusin:
“Bisedimet për statusin do të fillojnë dhe do të nisen me decentralizimin. Ne kemi qëndrim të qartë dhe duam që përmes decentralizimit të bëhet një bartje e kompetencave në nivelin lokal dhe të formohen komuna të reja, nga të cilat ne presim që disa të jenë të banuara nga shumica serbe”, theksoi Ivanoviq.
Po në lidhje me bisedimet për statusin, shefi i zyrës ruse në Prishtinë tha se qeveria e tij qëndron pas deklaratës së fundit të Grupit të Kontaktit të aprovuar në Londër, me të cilën kërkohet që statusi të përcaktohet gjatë këtij viti:
“Ne i kemi qëndrimet tona rreth disa çështjeve, por kur Grupi i Kontaktit aprovon ndonjë dokument ne veprojmë bashkërisht dhe qëndrojmë dhe do të qëndrojmë pas deklaratës së fundit”, tha Bazdnik pas takimit me Oliver Ivanoviqin, i cili kryeson Listën Serbe, subjekti më i madh politik i këtij komuniteti në Kosovë, që refuzon pjesëmarrjen në institucionet qëndrore siç janë qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, kurse zhvillon aktivitetin në komisione parlamentare dhe takime protokollare ngjashëm me takimin e sotshëm të zhvilluar në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG