Ndërlidhjet

KOSUMI NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË SIGURIMIT PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Bajram Kosumi pritet të jetë kryeministri i parë i Kosovës që merr pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi ai është ftuar nga shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen që të shkojnë bashkë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën më 14 shkurt. Shefi i UNMIK-ut Petersen tha se njoftimin për këtë mundësi e kishte dhënë presidenca amerikane e Këshillit të Sigurimit:
"Ka një pajtueshmëri në mesin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që kryeministri i Kosovës Kosumi do të lejohet të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të hapur për Kosovën," tha zoti Petersen. Kryeministri Kosumi tha se ftesën e kishte pranuar me kënaqësi:
"Nga takimi i fundit kur jam ftuar të shkoj dhe deri më tash kanë ndodhur ndryshime rrënjësore në procesin e Kosovës, ka ndodhur raporti i ambasadorit Kai Eide, vendimi i nëntorit i Këshillit të Sigurimit për hapjen e bisedave për statusin që i ndryshon konjukturat politike në Kosovë dhe rreth saj dhe së fundi edhe deklarata e Grupit të Kontaktit që e ka qartësuar rrugën dhe konsideroj që tash të jem prezent në Këshillin e Sigurimit".
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit fillimisht qe planifikuar të mbahej më 7 shkurt, mirëpo meqënëse pritet që gjatë javës së ardhshme të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, Petersen tha se kishte kërkuar shtyrjen e kësaj mbledhjeje:
"Ne presim që kryetari i Kosovës të zgjidhet brenda javës së ardhshme dhe për mua është me rëndësi të jem këtu dhe pastaj të shkoj në Nju Jork për të njoftuar Këshillin e Sigurimit për këtë zhvillim," tha Jessen Petersen.
Kosumi dhe Petersen kanë thënë sot se koha e tashme nuk është e përshtatshme për zvogëlimin e trupave të KFOR-it. Ata i kanë bërë këto vlerësime duke komentuar një deklaratë të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Donald Rumsfeld, që ka paralajmëruar mundësinë e zvogëlimit të trupave amerikane në Kosovë. Kryeministri Kosumi tha se kontigjenti amerikan i KFOR-it në Kosovë gjatë gjithë kohës ka kryer një punë të mirë dhe është ndër pjesët më efektive të KFOR-it që ka krijuar një besim shumë të madh në mesin e qytetarëve të rajonit lindor të Kosovës.
"Ne po hyjmë në muajt vendimtarë kur vendoset për statusin përfundimtar të Kosovës dhe në këta muaj vendimtarë nuk do të ishte mirë të ndodhë një zvogëlim i asnjë kontigjenti të KFOR-it në Kosovë, asnjë trupe të cilitdo shtet dhe në veçanti nuk do të ishte mirë të ndodhte zvogëlim eventual i kontigjentit amerikan të KFOR-it dhe apeloj që nëse ka plane të tilla, të shtyhet deri pas statusit përfundimtar të Kosovës".
Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut Petersen tha se në asnjë rast nuk ka hetuar indikacione se mund të ketë zvogëlim trupash në këtë fazë:
"Unë në disa raste kam kërkuar nga Këshilli Veriatlantik që të mbetet në këtë drejtim, që të ruajë madhësinë e tashme, efikasitetin dhe autorizimet në këto momente vendimtare për Kosovën, tha Jessen Petersen, për të shtuar se Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, të martën në Londër i kishte premtuar se nuk do të kishte zvogëlim të trupave të KFOR-it në Kosovë. Aktualisht në Kosovë ka rreth 16 mijë trupa të KFOR-it, 1700 prej të cilëve janë paqeruajtës amerikanë.




XS
SM
MD
LG