Ndërlidhjet

WELCH: REFORMAT NË FUSHËN E SIGURISË TË NDËRLIDHURA ME STATUSIN PËRFUNDIMTAR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Këshilli i Brendshëm i Sigurisë në Kosovë është në përgatitje të një materiali të dobishëm për reformat që do t'i duhen Kosovës në fushën e sigurisë. Tony Welch është drejtues i këtij Këshilli. Ai tha sot se ekipi i tij, në bashkëpunim me UNDP-në, është në terren çdo ditë për të dëgjuar shqetësimet e qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, në mënyrë që edhe pikëpamjet e qytetarëve të zënë vend të rëndësishëm në pjesën e rekomandimeve që do t'i dorëzohen më pas qeverisë vendore dhe ministrisë përkatëse:
“Ne po punojmë nga afër me institucionet vendore dhe duhet t'i dëgjojmë se çka thonë ato, por ne duhet t'i dëgjojmë edhe pikëpamjet e njerëzve e më pas t'i përgatisim rekomandimet”, tha Tony Welch. Pas kësaj faze, vendimi për këto reforma, theksoi ai, u takon instancave më të larta, shefit të UNMIK-ut dhe kryeministrit të Kosovës, pasi Këshilli që drejton Welch, është vetëm një mekanizëm që rekomandon formën e reformave në sektorin e sigurisë në Kosovë. Këto rekomandime, sipas tij, nuk mund të pritet që të përfundojnë para muajit qershor:
“Ne do të vëzhgojmë vazhdimisht se çka do të ndodhë me procesin e statusit, pasi do të ishte gabim që ne të shkojmë shumë larg me këto rekomandime, pa e ditur se çfarë statusi do të ketë Kosova”, tha Welch. Sipas tij, rekomandimet dhe reforma e sektorit të sigurisë në Kosovë është shumë e ndërlidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, sepse vetëm atëherë do të dihet se deri në çfarë shkalle kompetencash dhe autorizimesh do të kenë institucionet vendore.
Administrata e UNMIK-ut tashmë ka bartur një pjesë të përgjegjësive nga fusha e sigurisë dhe ajo e drejtësisë tek qeveria e Kosovës, duke lejuar dhe formimin e dy ministrive përkatëse, por ato ende nuk janë formuar për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ndërmjet partnerëve në koalicionin qeverisës rreth ndarjes dhe drejtimit të tyre.



XS
SM
MD
LG