Ndërlidhjet

PRISHTINË: GRATË THONË SE NUK JANË TË PËRFSHIRA NË VENDIMMARRJE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Fuqizimi i pozitës së gruas brenda partive të tyre politike, është e vetmja mundësi drejt rritjes së përqindjes së grave në pozita vendimmarrëse. Në një debat të mbajtur sot në Prishtinë mbi këtë çështje, gratë deputete në Kuvendin e Kosovës, thanë se në këtë kuadër duhet ende punë për të bërë.
Nekibe Kelmendi, deputete në Kuvendin e Kosovës nga LDK-ja, tha se pozita e grave në proceset vendimmarrëse është shumë më e ulët se në vendet e tjera.
"Në Kosovë ne jemi fare ulët krahasuar me këto shtete. Siç dihet në parlament kemi kuotë, e cila është 30 përqind dhe në ekzekutiv pos një ministri dhe një zëvendësministri, nuk kemi gra të tjera të cilat marrin pjesë në të".
Flora Brovina, deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, pohon se edhe pas formimit të grupit joformal të grave parlamentare, pozita e tyre mbetet ashtu siç ka qenë.
"Në kuadër të partive natyrisht jemi shumë të pakënaqura, sepse dhe pas zgjedhjeve që u bënë dhe kongreseve ose kuvendeve partiake, gruaja nuk arriti të jetë e përfaqësuar shumë mirë, domethënë vetëm simbolikisht, diku më mirë, diku më keq në parti, ndërsa në kuadër të institucioneve qeverisëse jemi shumë të pakënaqura".
Edhe përkundër faktit se në Kosovë gjysma e popullatës së përgjithshme është e gjinisë femërore, ato nuk janë të kyçura fare në nivelet më të larta vendimmarrëse, thotë Gjylnaze Syla, deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Zonja Syla më shumë vërejtjet e saj i përqëndron në mospjesëmarrjen e femrave në grupin negociator për zgjidhjen e statusit.
"Është e vërtetë që në grupin negociator nuk është asnjë grua. Prandaj mendoj që roli i parlamentareve, me përqindjen që kanë 30 përqind, një ndër misionet që kanë është që t'i krijojnë hapësirë vetes, të jenë të pranishme aty ku vendoset për fatin e Kosovës."
Grupi joformal i grave parlamentare të Kuvendit të Kosovës duhet gjithsesi të luftojë për të ndryshuar gjendjen aktuale, thotë Teuta Sahatçiu nga partia reformiste Ora. Për të arritur këtë ajo thotë se gratë në rradhë të parë duhet t'i thyejnë barrierat që ekzistojnë brenda partive politike ku ato veprojnë.
"Problemi kryesor dhe zgjidhja e këtij problemi qëndron në parti. Në qoftë se në parti femra e ka pozitën e fuqishme, ajo do ta ketë pozitën e fuqishme edhe në parlament, do e ketë pozitën e fuqishme edhe në vendimmarrje dhe çdokund. Mendoj që puna jonë kryesore dhe më e fuqishme, duhet të jetë në fuqizimin e pozitës së gruas brenda partisë".
Gruaja është e përfaqësuar në nivelin institucional me një rregullore të OSBE-së, e cila i detyron institucionet, që në 30 përqind të përbërjes së tyre të jenë gra. Por organizatat joqeveritare në shumë raste kanë tërhequr vërejtjen se kjo përqindje më shumë i ngjan një detyrimi që duhet të përmbushet sesa aktivitetit politik të mirëfilltë të gruas.

XS
SM
MD
LG