Ndërlidhjet

SERCHUK: DUHET RESPEKTUAR VULLNETI I KOSOVARËVE PËR PAVARËSI


Vance Serchuk, analist pranë institutit Enterprise në Uashington

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit ka kërkuar që zgjidhja për Kosovën të miratohet në vitin 2006. Çfarë mendoni ju?

VANCE SERCHUK
Nuk jam i sigurt se është e mundur të miratohet zgjidhje përfundimtare në këtë periudhë. Në muajt pasues duhen sqaruar shumë çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen. Dhe kjo do të jetë mirë si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë. Sa i përket statusit, bashkësia ndërkombëtare gjithnjë ka theksuar se duhet respektuar vullneti i popullit që jeton në Kosovë dhe jo vetëm të shqiptarëve, por edhe i serbëve. Gjithashtu duhet respektuar integriteti territorial të Ballkanit dhe interesat e vendeve fqinje. Zgjidhja e të gjitha këtyre çështjeve do të jetë sfidë e madhe në muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo zgjidhje konkrete? Kohëve të fundit gjithnjë e më shpesh përmendet pavarësia e kushtëzuar për Kosovën.

VANCE SERCHUK
Shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës dëshiron pavarësi dhe këtë duhet ta respektojnë të gjithë. Njëkohësisht, për shkak të rrethanave në 7 vitet e fundit, gjatë të cilave misioni ndërkombëtar kishte bërë veprime të gabuara dhe e njëjta vlen edhe për udhëheqjen shqiptare, Kosova tani nuk është sa duhet e zhvilluar dhe e organizuar, përkatësisht ende nuk është e organizuar dhe e aftë për të funksionuar si shtet i pavarur. Një është e sigurtë – madje edhe nëse Kosovës i jepet shkallë e konsiderueshme e pavarësisë, kjo do të jetë formale, sepse ende do të duhet ndihmë dhe mbikqyrje ndërkombëtare, që do të shtohet ose zvogëlohet varësisht nga aftësia e institucioneve kosovare për të funksionuar me efektivitet. Niveli i sovranitetit të vërtetë të Kosovës do të varet nga mënyra se si do të zgjidhen çështjet siç janë decentralizimi, multietniciteti dhe siguria.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra Kosova me gjasë në këtë fazë do të fitojë pavarësi të kushtëzuar dhe pastaj varësisht nga përmbushja e kushteve të caktuara, para së gjithash nga mbrojtja e pakicave, edhe pavarësi të plotë?

VANCE SERCHUK
Kjo do të varet shumë nga ajo se çfarë do të bëjnë ose jo kosovarët. Nëse do të bëjnë veprime të përgjegjshme dhe nëse dëshmojnë se janë në gjendje të punojnë si shoqëri serioze, atëherë ky proces do të rrjedhë shumë më shpejt. Në të kundërtën, nëse do të ketë dhunë, jostabilitet, korrupsion, rruga drejt pavarësisë së plotë do të jetë shumë më e gjatë dhe mbase edhe mund të ndalet.

RADIO EVROPA E LIRË
Lidhur me rolin e Rusisë, si do ta lexonit deklaratën e presidentit Putinit mbi zbatimin universal të parimeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

VANCE SERCHUK
Është një deklaratë tepër e rëndësishme. Një nga argumentat kryesore që dëgjohen, veçanërisht në Serbi, kundër pavarësisë së Kosovës është krijimi i precedentit. Kjo do të thotë që nëse komuniteti ndërkombëtar zbaton këtë parim këtu pse jo dhe në pjesë të tjera, siç mund të jenë Kurdistani apo territore në ish Bashkimin Sovjetik. Në fakt këtu bazohej dhe shpresa e serbëve që Rusia do të ishte mbrojtësi i tyre i posaçëm në Kosovë. Por nga kjo deklaratë sërish mund të lexohet se presidenti Putin është pragmatik. Ai e di se qeveritë perëndimore e kanë thënë qartë se Kosova është unike.
Por ajo që deklarata e Putinit duhet të transmetojë tek njerëzit në Serbi është se nuk duhet të llogarisin tek Moska që do të bllokojë Kosovën për shkak të rajoneve të tjera. Kosova do trajtohet si një skenar unik, ashtu siç edhe është. Edhe Putin e tha se çdo rast duhet trajtuar mbi bazat dhe meritat vetanake. Është e rëndësishme që qeveritë perëndimore t'ia bëjnë të qartë Rusisë që zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk krijon precedent për kriza të tjera brenda territorit rus. Çeçenia është një skenar plotësisht i ndryshëm nga Kosova. Duke ia qartësuar këtë rusëve është shumë e rëndësishme. Dhe në fakt, ajo që do shohim në Grupin e Kontaktit është konsensusi i vendeve pjesëmarrëse lidhur me Kosovën.
Nga ana tjetër Vladimir Putini do ndjekë një politikë në përputhje me interesat e tij kombëtare. Dhe nisja e një lufte me qeveritë e vendeve të Grupit të Kontaktit për hir të Serbisë, nuk përputhet me këto interesa.
Është një element i rëndësishëm dhe qasja ndaj coptimit të Kosovës. Grupi i Kontaktit e ka thënë qartë se nuk ka coptim të Kosovës. Por në realitet kemi një ndarje të Kosovës, ku veriu i Mitrovicës faktikisht është pjesë e Serbisë. Do jetë interesante të shohim se si do t'i qasen fakteve që veç janë në terren negociatat për statusin. A do ketë ndonjë lloj njohje formale të tyre, që mund të jetë pjesë e ndonjë koncensioni? Përgjigja për këtë pyetje deri tani ka qenë jo, çfarë në një rast të tillë do ketë kthim. Pyetja shtrohet në cilat kushte dhe si do të bëhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns, i ka thënë Ministrit të Jashtëm serbo-malazez se pozicioni i Serbisë lidhur me Kosovën po dobësohet dhe do vazhdojë kështu, nëse nuk kapen të kërkuarit nga Gjykata e Hagës. Në rast se ndodh arrestimi i Mlladiçit a do ketë forcim të pozitave serbe ndaj Kosovës?

VANCE SERCHUK
Ka një morri çështjesh për të cilat Serbia duhet të paguajë llogaritë e atyre që kanë ndodhur në të shkuarën. Arrestimi i të akuzuarve për krime lufte është një nga këto çështje, ndoshta më e dukshmja. Por dështimi i Serbisë në kapjen e Mlladiçit apo Karaxhiqit nuk është e vetmja që ka dëmtuar Beogradin lidhur me negociatat. Pyetja shtrohet në plan më të gjerë. Çfarë shteti do që të bëhet Serbia? Por kjo është një pyetje të cilës duhet t'i japin përgjigje Serbia dhe serbët në vitet që vijnë. Por Serbia nuk duhet të nënçmojë rëndësinë e sjelljes para drejtësisë të të akuzuarve, nga të cilat varen dhe shumë forma të tjera të bashkëpunimit në të ardhmen.

Intervistoi: Dragan SHTAVLJANIN





Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG