Ndërlidhjet

KORRUPSIONI NË SHËRBIMET PUBLIKE KA SHËNUAR RRITJE


Albana Isufi, Prishtinë

"Raporti i Paralajmërimit të Hershëm" alarmon se shkalla e korrupsionit në institucionet e shërbimeve publike në Kosovë është e lartë, përderisa qytetarët e anketuar pranojnë se u japin mito zyrtarëve publikë. Dymbëdhjetë përqind e të anketuarve kanë pranuar se vitin e kaluar nënpunësit publikë u kanë kushtëzuar ofrimin e shërbimeve zyrtare me dhënien e parave, dhuratave apo shërbimeve të tjera. Ndërsa 60 përqind nga ta pranojnë të kenë dhënë mito.
Valza Kika, është hulumtuese në RIINVEST, institut ky që kryen "Raportin e Paralajmërimit të Hershëm", i cili bashkëfinancohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara(UNDP) dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar(USAID).
Kika thotë se korrupsioni në Kosovë sipas hulumtimeve, po vazhdon të shënojë rritje.
“Është në një rritje, me një trend jo shumë të shpejtë, por është në rritje dhe nuk është për të mos u alarmuar”.
Kika thotë, se sipas "Raportit të Paralajmërimit të Hershëm", qytetarët rendisin institucionin e drejtësisë si më të korruptuarin. Sërish Valza Kika.
“Sa i përket korrupsionit në gjyq, janë mbi 60 përqind të të anketuarve që mendojnë se korrupsioni është i lartë në gjykata. Po ashtu në administrata qëndrore dhe lokale, mbi 50 përqind e të anketuarve mendojnë se ka korrupsion”.
Por, institucionet e Kosovës deri tani nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap konkret për të luftuar korrupsionin. Në fakt vitin e kaluar ka hyrë në fuqi ligji antikorrupsion, por mekanizmat, që sipas ligjit duhet të merren me luftimin e korrupsionit, nuk janë krijuar ende.
Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë.
“Ligji vetëm ka filluar të marrë atë nismën e mbarë të zbatimit, por ka hasur në një problematikë të tillë në krijimin apo themelimin e Agjencisë së Antikorrupsionit. Fillimisht është duke u punuar në krijimin e Këshillit të Agjencisë kundër Korrupsionit. Procesi është i nisur dhe pothuajse në prag të përfundimit”.
Ky këshill do të përbëhet nga 9 anëtarë. 6 tashmë janë nominuar nga qeveria, presidenca, gjykata supreme, prokuroria, administrata lokale dhe shoqëria civile. Por, nominimet nuk janë bërë ende nga mekanizmi ligjvënës. Sërish Hajredini.
“Ne nuk kemi të përfunduar këshillin, sepse parlamenti nuk ka marrë një vendim të tillë për të nominuar tre anëtarë të tij në këtë Këshill të Antikorrupsionit”.
Në anën tjetër, sociologët janë të shqetësuar rreth faktit se tashmë qytetarët kosovarë po e pranojnë fenomenin e korrupsionit si gjë normale. Kjo dëshmohet me përqindjen e madhe të të anketuarve, që pranojnë se u japin mito zyrtarëve. Sociologu Fadil Maloku për tërë këtë fajin e hedh te klasa politike kosovare.
“Unë konsideroj se nuk është e rastësishme që elita politike është shtresa më e pasur në shoqërinë tonë dhe unë konsideroj, si sociolog, se kjo e ka një përgjigje, sepse lufta politike zhvillohet për të monipolizuar këto qendrat e vendosjes dhe për t’u korruptuar edhe më shumë”.
Në anën tjetër, Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të mirë, që deri tani është marrë vetëm me fushata mediale kundër korrupsionit, beson se themelimi i Agjencisë Antikorrupsion mund të çrrënjosë këtë fenomen.
“Po që se instalohet një agjenci sipas ligjit, që kjo agjenci të jetë e pavarur dhe e papolitizuar, mendoj se mund të jenë hapat e parë, që të bëhet një parandalim”.
Por, ekspertët tërheqin vërejtjen, që as kjo agjenci nuk do të jetë e efektshme, po qe se politizohet, apo vepron në baza nepotizmi.

XS
SM
MD
LG