Ndërlidhjet

PRISHTINË


Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar sot nga Kryesia e Kuvendit që të anuloj vendimin e djeshëm për shtyrjen e seancës plenare në të cilën do të zgjedhej Presidenti i ri, dhe këtë seancë ta thërrasë për të premten më 10 shkurt. Pajtimi për mbajtjen e seancës për të premten është unik, ka thënë dhe shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen. Pas kërkesave zyrtare të LDK-së, AAK-së, partisë Ora, si dhe Grupit “6 Plus”, që përfaqëson komunitetet jo serbe në Kuvend, gjatë mbrëmjes edhe PDK-ja është pajtuar që seanca të mos shtyhet për javën tjetër por ajo të mbahet këtë javë. Vendimi i PDK-së i është kumtuar dhe shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen-Petersen nga një delegacion i kësaj partie i udhëhequr nga Jakup Krasniqi. Jessen-Petersen tha se e ka mirëpritur vendimin më të ri të PDK-së. “Jemi pajtuar që Presidenti të zgjedhet shumë shpejt, mbase para përfundimit të javës, çka është shumë mirë dhe është ajo për çka Këshilli i Sigurimit ishte informuar nga unë, kur kërkova që sesioni për Kosovën të shtyhet për javën tjetër”, tha Jessen-Petersen.
XS
SM
MD
LG