Ndërlidhjet

NDËRKOMBËTARËT E VENDORËT VLERËSOJNË ZGJEDHJEN E SEJDIUT SI PRESIDENT I KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë ndërkombëtarë e vendorë e kanë cilësuar një ditë të rëndësishme për Kosovën zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe mbështetjen që i është dhënë tashmë kryetarit Fatmir Sejdiu. Zoti Jessen Petersen, i cili pikërisht për të pritur zgjedhjen e kryetarit të Kosovës pati kërkuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, tha se kjo ishte një ditë e madhe për Kosovën:
"Ky ishte një demonstrim i një përkrahjeje të fuqishme dhe dua ta përgëzoj Kuvendin e Kosovës që ka ecur përpara kaq shpejt, për t’u siguruar se procesi për statusin do të ecë përpara," tha zoti Jessen Petersen, për të shtuar se presidenti Sejdiu e merr postin në një moment vendimtar për Kosovën dhe puna e tij është të ruajë unitetin, stabilitetin dhe të shkojë drejt diskutimeve për statusin. Zoti Petersen tha se kryetari Sejdiu do ta ketë mbështetjen e tij të plotë dhe shprehu kënaqësinë e tij që do të mund të raportojë në Këshillin e Sigurimit, se Kuvendi i Kosovës shumë shpejt e ka zgjedhur një kryetar gjerësisht të mbështetur, vetëm tre javë pas humbjes tragjike të presidentit Rugova, siç u shpreh Petersen.
Ndërkaq, shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg tha se kryetari Sejdiu do ta ketë mbështetjen amerikane:
"Ne sapo ishim dëshmitarë të një vote madhështore, një diçka që ështës shumë e rëndësishme për Kosovën që të shkojë përpara drejt negociatave për statusin," tha zoti Goldberg. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mezi presin të bashkëpunojnë ngushtë me zotin Sejdiu dhe me grupin negociues të Kosovës që ai do ta udhëheqë, për ta ndihmuar procesin për statusin.
Edhe krerë të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të partive opozitare, e vlerësuan zgjedhjen e zotit Ssejdiu në postin e kryetarit të Kosovës, një moment tepër të rëndësishëm për procesin. Kryeministri Kosumi tha:
"Edhe një herë klasa politike e Kosovës, por edhe populli i Kosovës e ka dëshmuar se në ditët e vështira, kur pritet të jetë më së rëndi, nuk dorëzohemi, përkundrazi e rishikojmë vetveten, pozicionet tona dhe qëllimin se ku duam të arrijmë, dhe marrim forcë nga vetvetja dhë bëjmë hapat e duhur- kjo ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës."
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi tha se ky është një lajm i mirë që siguron përshpejtimin e procesit për statusin:
"Zgjedhja e kryetarit të ri të Kosovës është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe institucionet. Është një përgjegjësi para faktorit ndërkombëtar në mënyrë që të përshpejtojmë zgjidhjen e statusit politik".
Ndërkaq, Veton Surroi, kryetar i Partisë Ora, që edhe më herët pati mbështetur kandidaturën presidenciale të LDK-së për Fatmir Sejdiun, tha se kjo zgjedhje është shenjë e pjekurisë për ta tejkaluar vakuumin e krijuar:
"Kjo zgjedhje tregon seriozitetin e këtij institucioni, të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tregon pjekurinë që në këto momente të tejkalohet vakuumi institucional, të bëhet zgjedhja siç e do rendi, në mënyrë që të vazhdojmë më tutje".
Në anën tjetër, serbët e Kosovës kanë porositur presidentin e ri Sejdiu që të bëjë më shumë për pakicat. Goran Bogdanoviq, përfaqësues i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë tha se për serbët më e rëndësishmja është që kryetari Sejdiu të bëjë gjëra konkrete për serbët:
"Të gjithë e dimë se serbët jetojnë në kushte të vështira dhe atyre nuk u duhet retorika, por që kryetari i ri të ketë guxim dhe të kërkojë nga shqiptarët që serbët të kenë liri të lëvizjes," tha zoti Bogdanoviq.

XS
SM
MD
LG