Ndërlidhjet

STRASBURG


Bashkimi Evropian vlerësoi sot se besimi midis komuniteteve fetare është dëmtuar rëndë nga kriza e fundit rreth karikaturave të profetit Muhamed. Në sesionin e Parlamentit Evropian në Strasburg, kryetari i Komisionit Evropian, Hoze manuel Barroso, tha se liria e shprehjes është pjesë e traditës dhe vlerave evropiane, por e cila duhet të ushtrohet me përgjegjësi.
"Liria e shprehjes ka gjithashtu kufij të caktuar dhe kjo duhet të respektohet. Këto gjëra janë të përcaktuara me ligjet dhe sistemet juridike të shteteve anëtare të BE-së, dhe është e vetëkuptueshme se nuk mund të tejkalohen kufijtë" tha Barroso.
Ndërkohë, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Havier Solana, i cili ndodhet në një turne në Lindjen e Mesme, me qëllim të zbutjes së tensioneve lidhur me karikaturat, sot është takuar në Aman, me mbretin jordanez, Abdullah dhe ministrin e Jashtëm, Abdelelah al-Khatib.
Por, protestat megjithatë kanë vazhduar në disa vende. Gjatë protestës në Peshavar të Pakistanit kanë vdekur 2 njerëz dhe janë lënduar 45 të tjerë, tha policia.
Kurse, në Filipine, qindra protestues e kanë djegur flamurin danez para konsulatës së këtij vendi në kryeqytetin Manila.
XS
SM
MD
LG