Ndërlidhjet

DOBBINS:"KONCENZUS I GJËRË NDËRKOMBËTAR PËR KOSOVËN"


James DOBBINS, ish emisar i SHBA-ve për Ballkanin

EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen javën e ardhshme për të diskutuar çështjen e decentralizimit në Vjenë. A besoni se vendimi për statusin e Kosovës mund të merret deri në fund të këtij viti?

JAMES DOBBINS
Mendoj se mundet, edhe pse mendoj se proceset e këtilla zgjasin më tepër se sa parashihen në fillim. Prandaj nuk do të befasohesha nëse ky proces vazhdon edhe në vitin tjetër.

EVROPA E LIRË
Kosova e zgjodhi Fatmir Sejdiu president të ri. Si mund të ndikojë ky fakt në procesin negociatave?

JAMES DOBBINS
Rugova kishte një legjitimitet të madh, do të thoja, për shkak të historisë së tij të gjatë në mbështetje të pavarësisë dhe metodave jo të dhunshme. Por ai nuk ishte veçanërisht i vendosur, apo një njeri karizmatik. Është e mundur që trashëgimtari i tij do të shfaqë më shumë gatishmëri për t'i marrë vendimet e nevojshme.

EVROPA E LIRË
Diplomati i lartë britanik, zoti John Sawers u tha serbëve të Kosovës se pavarësia është zgjidhja më e mirë për Kosovën. Kjo deklaratë shkaktoi reagime të ashpra te politikanët udhëheqës në Beograd. A mendoni se deklaratat e zotit Sawers paraqesin një test para fillimit të dialogut në Vjenë?

JAMES DOBBINS
Mendoj se komentet e zotit Sawers paraqesin konsenzusin e gjerë brenda bashkësisë ndërkombëtare. Kuptohet që përkufizimet e sakta për një pavarësi të tillë mbeten të përcaktohen dhe kjo në masë të madhe është pjesë e negociatave të vështira. Shqiptarët do të dëshirojnë sa më pak kushtëzime të mundshme. Bashkësia ndërkombëtare do të këmbëngulë në garancat dhe në mbrojtjet për minoritetet. Pra, do të jenë negociata të vështira, por besoj që komentet e zotit Sawers me siguri paraqesin një konsenzus më të gjerë.

EVROPA E LIRË
Diplomatët janë dakord se nuk ka një zgjidhje për Kosovën, e cila do t'i kënaqte të dyja palët.

JAMES DOBBINS
Mendoj se qëllimi është që të gjejmë një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se zgjidhja duhet plotësisht të përkrahet nga të dyja palët. Unë megjithate mendoj se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë përpjekje që rezultati, nëse plotësisht nuk do të mund të mbështetet nga pala serbe, atëherë të paktën të jetë i pranueshëm nga ajo. Por ndoshta nuk do të jetë e mundur që të arrihet një zgjidhje, e cila do të përkrahej plotësisht nga të dyja palët.

EVROPA E LIRË
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka bërë thirrje për të shmangur, siç ka thënë ai, standardet e dyfishta në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
A janë drejtuar këto mesazhe për opinionin rus, apo e pasqyrojnë synimin e Rusisë që zgjidhja për Kosovën të mos krijojë presedencë?

JAMES DOBBINS
Mendoj se rusët janë të brengosur për presedencën dhe për vështirësitë që do të krijoheshin në situatat tjera, me të cilat përballen. Por mendoj se ata gjithashtu e kuptojnë se çdo njëra nga këto situata ka elementë të veçantë, prandaj qasja duhet të jetë e ndryshme, e jo thjesht në bazë të parimeve uniforme, që kryesisht nuk zbatohen në situata të këtij lloji.

EVROPA E LIRË
Afera Mlladiq e ka vënë Beogradin nën një presion të madhe dhe ia vështirëson edhe më shumë pozicionin në prag të bisedimeve. Ambasadori amerikan në Beograd, zoti Michael Polt tha se durimit po i vjen fundi dhe mund të pasojnë konsekuenca reale.

JAMES DOBBINS
Po. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare në masë po e humb durimin për mos arrestimin dhe mos sjelljen para drejtësisë të krye të dyshuarve për krime lufte nga Tribunali i Hagës, të cilët janë arratisur një kohë të gjatë. Prej tyre, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq janë më të njohurit.

EVROPA E LIRË
Zoti Dobbins, ju keni një përvojë të gjatë dhe shumë të vlefshme në Ballkan. Çfarë do të ishte këshilla juaj kryesore për negociatat që po vijnë, durimi apo përdorimi i forcës diplomatike për gjetjen e zgjidhjes. Cila është përvoja juaj nga Ballkani?

JAMES DOBBINS
Mendoj se presidenti Ahtisaari është mirë i kualifikuar për detyrën që ka marrë. Ai duhet t'i konsultojë të gjitha palët. Mendoj se ai duhet të inkurajojë palën shqiptare dhe serbe që të flasin me njëra tjetrën, por kjo ndoshta nuk do të tregohet e mundshme. Madje, edhe nëse flasin me njëri tjetrin, ato ndoshta nuk do të mund të arrijnë një marrëveshje. Por në fund, ai duhet të marrë vendim, ai duhet të vendosë se çfarë do t'i rekomandojë Këshillit të Sigurimit lidhur me statusin e Kosovës. Është e qartë se ai nuk do të rrëmbehet në gjykimin e vet. Ai do të flasë me të gjitha palët dhe do të përpiqet të vijë deri tek një zgjidhje, e cila do t'i marrë parasysh shqetësimet legjitime të të gjithëve.
XS
SM
MD
LG