Ndërlidhjet

MOMENTI HISTORIK PËR BALLKANIN


Christian Science Monitor

Bisedimet mbi të ardhmen e Kosovës pritet të fillojnë të hënën, por shumë vëzhgues kanë frikë se betejat për pushtet, si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, do të pengojnë aftësitë e shqiptarëve dhe të serbëve për të negociuar në mënyrë konstruktive në muajt e ardhshëm. Pavarësimi i Kosovës nuk është një çështje edhe aq e thjeshtë. Eksperti mbi çështjet ballkanike, Alex Grigorev thotë se bisedimet janë për Kosovën po aq sa janë edhe për vetë Serbinë. Edhe pas më shumë se pesë vjetësh që prej rënies së Slobodan Millosheviqit, tranzicioni demokratik i Serbisë është duke përparuar, por nuk është një përparim i përhershëm. Më e keqja që mund të ndodhë në rast të pavarësisë së Kosovës është dorëheqja e liderëve demokratikë në Serbi. Në këtë rast, mund të pasojë fushata elektorale kush e humbi Kosovën dhe nacionalistët ekstremistë, me një agjendë të politikës revanshiste, mund të fitojnë pushtetin. Duke pasur parasysh të gjitha rreziqet, suksesi në Kosovë kërkon një diplomaci të qetë dhe të durueshme dhe jo zgjidhje të imponuara me shpejtësi. Ky sukses gjithashtu kërkon një marrëveshje që mund të pajtojë realitetin e sotëm demografik dhe politik në Kosovë. Prandaj, për të arritur deri tek një zgjidhje afatgjatë, duhet gjetur një qasje të pranueshme për shqiptarët, serbët dhe komunitetin ndërkombëtar; modeli me humbës dhe fitues në këtë lojë nuk do të funksionojë.
Në vend të konceptit të shekullit të 19-të, të sovraniteteve shtetërore, ndëmjetësuesit ndërkombëtarë dhe politikanët në Ballkan duhet të mundësojnë një të ardhme për Kosovën, duke i mbajtur kufijtë e limituar, ashtu siç i kanë vendet e Bashkimit Evropian në shekullin 21. Një marrëveshje e këtillë nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur, kërkon diplomaci kreative, kompromise dhe koncesione të rënda dhe udhëheqje të guximshme politike. Por, ky është rasti historik për t’i përmirësuar gjërat në Ballkan. Për herë të parë pas shumë dekadash, në mos shekujsh, Evropa juglindore nuk është e ndarë në blloqe rivale të pushtetit dhe që të gjithë në rajon ndajnë qëllimin e njëjtë: zhvillimin e institucioneve demokratike dhe ekonomive të tregut, që një ditë do të çojnë deri tek anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Të shpresojmë se politikanët dhe diplomatët në krye të këtij procesi do të gjejnë vizionin dhe guximin për ta shfrytëzuar në tërësi këtë momenti historik.
XS
SM
MD
LG