Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE OBSH-JA, FTOJNË FAMILJET ROME QË TË LARGOHEN NGA KAMPET E KONTAMINUARA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë u ka bërë edhe sot thirrje pjesëtarëve të komunitetit rom e ashkali që jetojnë nëpër kampet në veriun e Kosovës, t'i pranojnë ofertat e fundit që të zhvendosen në vende më të sigurta. Në kampet ekzistuese, sipas zëvendëshefit të UNMIK-ut, Larry Rossin, këta banorë janë të kërcënuar seriozisht nga ndotja e ambientit, çka është vërtetuar te një pjesë e fëmijëve dhe grave shtatzëna, te të cilët është identifikuar një prani e tepruar e plumbit në gjak. Për këtë qëllim, UNMIK-u ka ftuar dhe Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore për Shëndetësi, Dr. Marc Danzon, për t'i informuar pjesëtarët e këtyre komuniteteve që të shpërngulen nga kampet, për shkak se jeta dhe shëndeti i tyre është i kërcënuar. Larry Rossin tha se kërkesat e romëve e ashkalive që të zhvendosen jashtë Kosovës janë të papranueshme, por këta pjesëtarë do të kthehen ose nëpër shtëpitë e tyre, apo në rastet kur ata nuk kanë ku të kthehen, zhvendosja e tyre do të bëhet në kampe më të sigurta:
“Ajo që këta njerëz duhet të bëjnë është që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, prej nga janë larguar në mënyrë jo të drejtë, qoftë me dhunë apo forma të tjera”, tha Larry Rosin, duke përmendur këtu vendet si Lagja Rome në Mitrovicë e vendbanime të tjera ku këto komunitete kanë jetuar më parë.
Kurse dr.Marc Danzon tha se ka mandatin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që t'i ndihmojë banorët e kampeve në veri të Kosovës, jo vetëm me barna, por edhe me informata të vlefshme për urgjencën që ata të largohen nga këto kampe:
“Gjendja në kampe është e papranueshme, fëmijët, gratë shtatzëna si edhe e tërë popullata në këto kampe është në rrezik dhe e dimë se zgjidhjet e ofruara janë më të mira sesa gjendja ekzistuese”, tha Dr.Danzon. Duke pasur parasysh kundërshtimin e banorëve të këtyre kampeve që të largohen nga atje, Rossin dhe Danzon kërkuan dhe ndihmën e mediave kosovare dhe organizatave joqeveritare që të ndërmarrin një fushatë për informimin e këtyre qytetarëve për rrezikun që u kanoset atyre.



XS
SM
MD
LG