Ndërlidhjet

EKIPI KOSOVAR NË BISEDIMET E VJENËS DO TË JETË UNIK


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ruajtja e unitetit në kuadër të delegacionit të Kosovës për bisedimet për statusin mbetet një prej prioriteteve të udhëheqjes kosovare. Takimi i djeshëm, kur edhe është përcaktuar delegacioni tetë anëtarësh për takimin e Vjenës, sipas disa anëtarëve të delegacionit ka sjellë si rezultat dhe disa mosmarrëveshje, por të cilat besohet se janë tejkaluar. Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi tha se beson që ekipi kosovar do ta përfaqësojë Prishtinën në takimin e 20 shkurtit në Vjenë në mënyrë të denjë. Kosumi tha po ashtu se nuk sheh arsye për ndryshimin e formlulës aktuale në ekipin negociues:
"Kemi pasur marrëveshje, dje është takuar delegacioni dhe kemi ardhur në përfundim se kush do të shkojë në Vjenë. Është caktuar ekipi, është caktuar kryesuesi ministri Lutfi Haziri. Kryesuesi do të thotë udhëheq ekipin, do të shkojë në Vjenë do të paraqesë dokumentin, i cili po ashtu është diskutuar dhe është miratuar. Gjithçka është mirë dhe në rregull”, tha Kosumi.
Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës mendojnë se duhet të bëhet edhe më shumë për ruajtjen e unitetit në kuadër të ekipit për statusin. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se të gjitha angazhimet politike duhet të jenë të drejtuara për ruajtjen e unitetit dhe përfaqësimin me sukses të Kosovës në procesin negociator:
“Ne do t'i kryejmë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë që na takojnë në mënyrë që ta bindim dhe komunitetin ndërkombëtar se viti 2006 duhet të jetë viti për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës”, tha Thaçi.
Ndërkohë, lideri i partisë së dytë opozitare, Veton Surroi tha se në delegacionin kosovar ka çarje dhe mosmarrëveshje. Çështja e statusit nuk varet vetëm nga negociatat, por edhe nga funksionimi i shtetit, tha Surroi, duke parë shumë mangësi në funksionimin e institucioneve të Kosovës. Sidoqoftë, Surroi tha se ka dallime, por ai u angazhua për ruajtjen e formulës aktuale pozitë – opozitë në procesin negociator:
“Ajo që natyrisht nuk është e tejkalueshme në masë të madhe janë disa dallime, por kryesorja është që procesi negociator të ecë me formulën e deritanishme të ndërlidhjes pushtet – opozitë, ndërsa këto dallime të tjera të trajtohen në formë tjetër”, theksoi Surroi.
Ndërsa në takimin e parafundit, Ekipi Negociues pati vendosur që delegacioni përfaqësues për takimin e Vjenës të ketë shtatë anëtarë dhe të bashkëkryesohet nga ministri Lutfi Haziri dhe zyrtari i lartë i PDK-së, Jakup Krasniqi, pas refuzimit të këtij të fundit që të jetë bashkëkryesues dhe pjesëmarrës i këtij delegacioni, në takimin e djeshëm është vendosur që delegacioni i Prishtinës t'i ketë tetë anëtarë dhe të mos bashkëkryesohet, por të kryesohet nga ministri Haziri. Dy emrat e rinj të delegacionit që do të udhëtojë të djelën për në Vjenë për t'u takuar me përfaqësues nga Beogradi, janë ministri Ardian Gjini nga AAK-ja dhe Fehmi Mujota nga PDK-ja. Takimi i Vjenës është thirrur nga kryenegociatori për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari dhe është paraparë që Prishtina dhe Beogradi të diskutojnë për decentralizimin në veçanti dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me komunitetin serb në Kosovë.


XS
SM
MD
LG