Ndërlidhjet

HYSA:"OFERTA KOSOVARE PËR DECENTRALIZIMIN ËSHTË INTEGRUESE"


Ylber HYSA, anëtar i delegacionit të Kosovës në bisedimet e Vjenës


EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, cila është esenca e pozicionit të palës kosovare në takimin e Vjenës për decentralizimin?

YLBER HYSA
Besoj që esenca e ofertës kosovare qëndron në faktin se për dallim nga pala serbe, ne ofrojmë një qasje integruese me platformën tonë, e cila përveç se parasheh një varg principesh mbi të cilat mund të ndërtohet një reformë funksionale e pushtetit lokal, ofron edhe shumëçka në ofrimin e pushtetit te qytetari dhe në këtë rast edhe te komunitetet etnike dhe u ofron atyre që të realizojnë shumëçka nga interesat reale dhe vitale që kanë. Në këtë aspekt qasja jonë është gjithëpërfshirëse dhe besoj përfituese për secilin që dëshiron që ta shoh decentralizimin si reformë të pushtetit lokal dhe jo diçka tjetër.

EVROPA E LIRË
Dhe, cila do të ishte arsyeja konkrete për të cilën pala serbe dhe serbët e Kosovës do të duhej ta pranonin ofertën e palës kosovare?

YLBER HYSA
Për faktin që ajo u krijon atyre mundësi reale për të realizuar interesat e komunitetit, për të mbrojtur interesat vitale që kanë të bëjnë me një varg çështjesh, qoftë të intresit konkret shoqëror, ekonomik, kulturor gjuhësor, etnik dhe në të njëjtën kohë u mundëson të gjithëve në Kosovë që të ketë një pushtet funksional, pa e penguar njëri-tjetrin në funksionalizim, diçka që ndodh për shembull në Bosnë.

EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh qëndrimet relativisht të ndrsyhme të palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, çfarë mund të pritet realisht nga ky takim?

YLBER HYSA
Po, unë mendoj se nëse do të gjejmë pika të përbashkëta në adresimin e çështjeve, atëherë nuk do të shkojmë kah shtyrja e njëri-tjetrit në pozicione të cilat në fund do të bijnë në një lloj disfate. Ne jemi të gatshëm që këtë ofertë ta bëjmë reale edhe në implementimin e saj dhe ky është një rast i mirë për të gjithë ata që duan të përfitojnë prej saj.

EVROPA E LIRË
Zyrtarët ndërkombëtarë disa herë e kanë cilësuar çështjen e decentralizimit si çështjen më të rëndësishme të gjithë procesit të negociatave. Në çka janë të mbështetura këto vlerësime, meqenëse ju jeni edhe anëtar i grupit politik?

YLBER HYSA
Unë beosj që decentralizimi apo siç dëshirojmë të themi reformimi i pushtetit lokal në Kosovë është me siguri një punë shumë e rëndësishme. Për ne është po aq më e rëndësishme për faktin që ajo shtrohet në pako të statusit për Kosovësn dhe si e tillë u mundëson të gjithëve që të realizojnë shumëçka nga interesi i komuniteteve dhe në këtë aspekt eliminon një nga pengesat e bashkëjetimit dhe të funksionimit të institucioneve në Kosovën e re dhe nëse është menduar në këtë, atëherë është e vertetë se decentralizimi është shumë i rëndësishëm. Për ne është i rëndësishëm i shtruar në këtë formë, brenda një pakoje e cila bën që Kosova të ketë status dhe të funksionojë.

EVROPA E LIRË
Duke qenë gjithnjë te kërkesat ndërkombëtare dhe te decentralizimi. A mund të shihen të lidhura kërkesat e ndërkombëtarëve për kompromis nga pala kosovare, pikërisht në çështjen e decentralizimit?

YLBER HYSA
Po, besoj se pala ndërkombëtare me atë që është e njohur për qasjen tonë, ka mbetur e kënaqur. Ne e kemi ndërtuar këtë kompromis konscensual gjatë punimit të platformës sonë, duke bërë që të fusim sa më shumë elemente atraktive për palën serbe dhe për komunitetet në përgjithësi, duke mos dëmtuar funksionalizimin e Kosovë, pra duke mos e dëmtuar shumicën. Besoj se i kemi "martuar" këto interesa në platformën tonë, andaj vetë qasja jonë është e bazuar në kompromis dhe në konsensus.

EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, pavarësisht faktit se jeni anëtar i grupit politik, sa e shihni unik, sa e shihni kompetent këtë delegacion të Kosovë në këtë përbërje, për të diskutuar për çështjen e decentralizimit përballë palës serbe?

YLBER HYSA
Unë besoj se pala jonë reflekton gjendje reale të përfaqësimit, e cila bazohet në votë dhe si e tillë është përtej meje për ta komentuar pasi nuk mund ta komentoj besimin e kosovarëve. Është me rëndësi që më në fund diçka që e respekton konsensusin dhe nevojën e Kosovës për të bërë shtet. Në këtë aspekt unë shpresoj se do të jemi funksional. Sa më përket mua dhe subjektit që përfaqësoj, ne edhe më parë dhe edhe tash do të bëjmë maksimumin që me konsensus të ecim përpara.

EVROPA E LIRË
Çka do t’i rrezikonte bisedimet në Vjenë, cili do të mund të ishte momenti i ndonjë thyerjeje eventuale për këto biseda?

YLBER HYSA
Unë mendoj se ky moment mund të vijë nga një ndjenjë negative që mund ta ketë pala serbe pas komunikimit të këtyre ditëve që u është bërë në Beograd nga përfaqësues të lartë Grupit të Kontaktit, sipas të cilave ata duhet të llogarisin edhe në një status final që është pavarësia. Druaj që Vjena, ose decentralizimi mund të jetë për ta momenti kur ky frustrim mund të vijë si "bumerang" duke u kthyer në një pozicion më rigjid dhe jo si një mundësi që realisht të punohet ëpr të përfituar të gjithë, pra edhe serbët kosovarë. Besoj që nëse Beogradi do të mendojë seriozisht për interesin e bashkëkombasve të tyre, për qytetarët e Kosovës, atëherë do të duhej ta kuptonin Vjenën si një shans sipas të cilës do të duhej ta ndihmonin një proces, i cili është i favorshëm për të gjithë.

EVROPA E LIRË
Por, zoti Hysa, sa i ndihmojnë bisedimet e Vjenës deklaratat e përfaqësuesve ndërkomëbatrë që e shohin pavarësinë si një prej mundësive. Në fakt, si ndikon kjo te pala kosovare, por edhe te pala serbe?

YLBER HYSA
Besoj se ajo do të duhej të ndikonte si një këndellje për të gjithë, për faktin se do mundësontë një fokusim më real për probleme më reale pa bërë shantazhe të tipit "të gjitha ose asgjë". Kjo, në fakt mund të shtensionojë situatën dhe të na lejojë të gjithëve që të punojmë realisht për të ndërtuar një Kosovë, në të cilën të gjithë mund të funksionojnë në realitetin e ri.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG