Ndërlidhjet

HAZIRI: PLANI KOSOVAR I DECENTRALIZIMIT NUK DO TË NEGOCIOHET


Delegacioni kosovar udhëtoi pasditen e sotme për në Austri ku do marrë pjesë në takimin e nesërm të Vjenës.
Do të jetë ky takimi i parë mes delegacionit të Prishtinës dhe atij të Beogradit pas fillimit zyrtar të negociatave për statusin.
Decentralizimi do të jetë çështja e parë që edhe do hapë bisedimet për statusin e Kosovës. Delegacioni kosovar tetë anëtarësh, udhëhiqet nga ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri dhe është i përbërë nga përfaqësues të pozitës, opozitës dhe të pakicave jo serbe.
Haziri ka thënë se plani kosovar për decentralizmin nuk do të negociohet.
“Jo. Pjesë e procesit të statusit final është edhe reforma e pushtetit loakl, siç është edhe trashëgimia kulturore dhe fetare, liria e lëvizjes e ceshtjet tjera”, tha Haziri.
Në Vjënë sipas agjendës së kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin, Marti Ahtistari pala kosovare do të diskutojë për kompetencat specifike të komunave, të cilat edhe i ka adresuar në dokumentin “Parimet themelore të reformës së pushtetit lokal”.
Ministri Lutfi Haziri thotë se në takimin e nesërm pala kosovare do të dëshmojë para faktorit ndërkombëtar së në një Kosovë të pavarur do të garantohen të drejtat e pakicave.
“Do të dëshmojmë para faktorit ndërkombëtar e shtetit të Kosovës se në pjesën e reformave të pushtetit lokal institucionet e Kosovës marrin përgjegjësi të plotë në parime dhe vlera evropiane duke respektuar grupet etnike dhe duke u garantuar atyre funksionalitet të institucioneve. Në një Kosovë të pavarur do të jetëojnë në mënyrë të barabartë, të drejtë dhe do të vendosin për çështje jetike për interesin e tyre”, tha Haziri.
Me të arritur në Vjenë delegacioni kosovar do t’i dorëzojë dokumentin për decentralzimin ekipit të kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin Marti Ahtisarit.
“Do të dëshmojmë sot edhe me dorëzimin e dokumentit kryesor z Ahtisari, edhe nesër në takim, se agjenda përcakton një specifikë të pushtetit lokal, e ato janë kompetencat e komunave për të cilat ne do të dëshmojmë se si do të transferohen, në cilin parim do transferohen dhe se cilat janë format më të mira që në Kosovë të jenë më funksionale”.
Pala kosovare dhe ajo serbe kanë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket reformimit të pushtetit lokal në Kosovë. Megjithatë, kreu i delegacionit kosovar, Lutfi Haziri nuk parasheh afrim të këtyre qëndrimeve.
Ai ka thënë se bisedimet për decentralizimin, do të jenë hap për ndarjen e përhershme të Prishtinës nga Beogradi.
Shkuarja e kosovarëve në Vjenë, sipas Hazirit është proces që nuk do afrojë, por që do ta ndajë përgjithmonë Kosovën nga Serbia.
Ndryshe kosovarët konsiderojnë se oferta e tyre për decentralizimin është më e favorshme sesa ajo serbe.
Serbët e Kosovës nuk kanë pranuar të marrin pjesë në ekipin kosovar për negociata, ndërkohë që në delegacionin e Beogradit kanë tre përfaqësues të tyre. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk kanë pranuar asnjëherë planin e qeverisë për decentralizimin, duke kërkuar krijimin e më shumë komunave serbe, si dhe organizmin territorial në atë mënyrë, që të formohen korridore që do t’i lidhnin komunat serbe mes vete. Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga qeveria e Kosovës.

Albana Isufi

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG