Ndërlidhjet

KOSOVARËVE U KËRKOHET MË SHUMË PUNË PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE


Albana Isufi, Prishtinë

Fillimi i negociatave për decentralizmin në Vjenë është quajtur datë e rëndësishme dhe historike për Kosovën nga udhëheqësit vendas dhe ndërkombëtarë.
Presidenti Fatmir Sejdiu, pas një takimi lamtumirës me zëvëndësshefin e UNMIK-ut Larry Rossin, ka falenderuar komunitetin ndërkombëtar për shtysën që i ka dhënë procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.
“Kësisoj do t'ia dalim të shpejtojmë që ky vit të jetë vërtet viti i përcaktimit të statusit të Kosovës, konform vullnetit politik të popullit të saj. Për ne është një garancë shumë e fuqishme se ky bashkëpunim do të vazhdojë pa hezitim me gjithë potencialet", tha presidenti Sejdiu.
Takimi i Vjenës është vlerësuar lart edhe nga kryeministri Bajram Kosumi. Ai ka thënë se sot praktikisht kanë filluar bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Edhe kryeministri i ka bërë këto komente, pas takimit me shefin dhe zëvendësshefin e UNMIK-ut. Kosumi duke shfaqur shpresën se statusi i Kosovës do të zgjidhet shpejt, ka falenderuar zotin Rossin për punën që ka bërë në çuarjen e proceseve përpara.
“Në njërin prej muajve gjatë këtij viti do ta ftojmë përsëri që të kthehet që të festojmë së bashku përfundimin pozitiv të procesit", tha kryeministri Kosumi.
Por, shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen tha se ftesa e kryeministrit për të festuar zgjidhjen e statusit përfundimtar, do të varet nga vetë kosovarët.
“Më lejoni të them se arritja e asaj date varet nga kryeministri, qeveria dhe populli i Kosovës. Mendoj se me fillimin e bisedimeve sot, delegacioni i Prishtinës do të bëjë të qartë se e ka kuptuar mesazhin. Ne të gjithë e dimë se çfarë do Kosova, por po ashtu e dimë se çfarë duhet bërë që të arrihet kjo sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Jessen Petersen.
Ndërsa, vetë zëvendësshefi i UNMIK-ut Larry Rossin ka thënë se vendimin për t’u larguar nga Kosova e ka marrë me lehtësi, sepse këtu po lë njerëz që dinë ta drejtojnë vendin.
“E bëj këtë sepse sfidat në Kosovë janë të mëdha, por po drejtohen mirë nga qeveria, nga ju, nga populli i Kosovës, që po punon në tejkalimin e këtyre sfidave çdo ditë”, tha Rossin.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan ka emëruar Larry Rossin si zëvendësshef të misionit të OKB-së në Haiti.
XS
SM
MD
LG