Ndërlidhjet

VJENË


Në kryeqendrën e Austrisë sot përfundoi rrethi i parë i bisedimeve direkte në mes të Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e decentralizimit. Takimi u mbajt në pallatin Daun-Kinski, nën udhëheqjen e zotit Albert Rohan, zëvendës i të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin, Marti Atisari. Një zyrtar i afërt me takimin i ka thënë agjencisë Reuters se takimi ka "shkuar mjaft mirë". "Natyrisht se ka ende mosmarrëveshje, por ne i kemi pritur ato", ka thënë ky zyrtar. Para fillimit të takimit, zoti Ahtisaari është takuar ndarazi me delegacionet 8-anëtarëshe, ndërsa, negociatat kanë filluar pak pas orës 10.00. Bashkësinë ndërkombëtare në takim, përveç zotit Rohan, e e përfaqësuan edhe i dërguari i BE-së, Stefan Lehne, një përfaqësues i Shteteve të Bashkuara dhe dy përfaqësues të UNMIK-ut.
"Kemi ardhur të përgatitur mirë dhe sot jemi të fokusuar në agjendën e takimit. Dëshirojmë që bisedimet për statusin të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Pavarësia e Kosovës po vjen dhe ne jemi duke luajtur një rol pozitiv", deklaroi para takimit, kryesuesi i delegacionit kosovar, Lutfi Haziri.
Takimi ka vazhduar deri në orën 18.00, ndërsa dy delegacionet janë pajtuar që të mos prononcohen për mediat para përfundimit të ditës së dytë të bisedimeve. Zyrtarët nga të dyja palët ose ndërmjetësit ndërkombëtar, do të mbajnë konferencë për media nesër rreth orës 13.00. Siç është paralajmëruar, në ditën e dytë pritet të bisedohet mbi bartjen e përgjegjësive të policisë, gjyqësisë, shërbimeve publike dhe ndërmarrjeve shtetërore.
XS
SM
MD
LG