Ndërlidhjet

PËRFUNDOI TAKIMI I VJENËS MES DELEGACIONEVE TË KOSOVËS DHE SERBISË


Beqë Cufaj, bashkëpunëtor i Radios Evropa e Lirë

Takimi shqiptaro-serb ka përfunduar siç ishte parashikuar rreth orës 13:00. Në këtë kohë para shumë gazetarëve u paraqit së pari zoti Rohan, i cili informoi të pranishmit për rrjedhën e bisedimeve këto dy ditë. Deklarata e zotit Rohan u përqëndrua në atë që takimi i parë serbo-shqiptar i grupit nga Beogradi dhe atij nga Prishtina me ndërmjetësimin e tij, ka qenë mëse i dobishëm dhe frytdhënës. Në këtë frymë para gazetarëve u paraqitën pas zotit Rohan ndaras, së pari delegacioni serb me në krye zotin Kohen dhe zotin Samarxhiq, të cilët po kështu vlerësuan që takimi dy ditor mes shqiptarëve dhe serbëve ishte i mirë dhe në frymë konstruktive. Këtë mendim, këtë konkluzion, e paraqiti edhe Ministri i Pushtetit Lokal zoti Lutfi Haziri, i cili po ashtu i informoi të pranishmit që fryma e bisedimeve këto dy ditë në Vjenë ishte mëse pozitive.
Mbretëron një bindje se delegacioni shqiptar në një farë mënyre ka befasuar për të mirë. Nëse do të flisnim, jo vetëm duke u bazuar në bazë të deklaratave publike, por edhe të burimeve diplomatike, apo burimeve që kanë qenë të pranishme në takimin e djeshëm dhe të sotëm, shqiptarët kanë kaluar më së miri, pasi e kanë kuptuar këtë proces shumë seriozisht, kanë paraqitur propozime konkrete. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, serbët, përkundër faktit që kanë qenë relativisht të frustruar, për të mos thënë të deprimuar, për shkak të intervistës së zotit Ahtisari në Der Spiegel, megjithatë kanë hapur rrugën dhe kanë filluar të komunikojnë me shqiparët për temat konkrete. Përndryshe duhet theksuar edhe njëherë në detaj që sot në ditën e dytë të bisedimeve është diskutuar për dy tema shumë të rëndësishme që hyjnë po ashtu në kuadër të decentralizimit dhe ato me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe përkatësisht policinë në komunat e tashme dhe të ardhshme në Kosovë dhe për drejtësinë.
Në këtë kuadër, nëse do të mund të flitej për kronologjinë, tani për tani grupi i zotit Ahtisari, përkatësisht zoti Rohan i ka marë qoftë dokumentet, si të palës shqiptare ashtu dhe asaj serbe, qoftë qëndrimet gojore rreth temave në fjalë. Pas kthimit të delegacioneve nga Vjena në Prishtinë, respektivisht Beograd, zoti Ahtisari dhe zoti Rohan do të dërgojnë në Prishtinë dhe në Beograd grupe pune ekspertësh, grupe pune nga Vjena, nga zyra e zotit Ahtisari, për të diskutuar konkretisht në nivel të ekspertëve për temat në fjalë dhe çfarë është më e rëndësishmja në mars do të ketë një takim tjetër të radhës mes dy delegacioneve sërisht në Vjenë.
XS
SM
MD
LG