Ndërlidhjet

AHMET ISUFI: STANDARDET NUK DUHET TË JENË KUSHT PËR STATUSIN E KOSOVËS


Ahmet Isufi, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, si e vlerësoni takimin mbi decentralizimin në Vjenë të Austrisë?

AHMET ISUFI
Takimi mbi decentralizimin që është mbajtur në Vjenë, është një vazhdimësi e angazhimeve të qeverisë së Kosovës, të institucioneve në përgjithësi dhe konjukturave, të cilat kanë projektuar si nga bashkësia ndërkombëtare, po ashtu edhe nga pala serbe që të interesohen për një gjendje e cila duhet të ndryshojë në Kosovë. Palët kanë qëndrime të kundërta dhe është vështirë të pritet ndonjë rezultat, i cili do të mundësonte pajtimin e palëve. Por një kujdes i veçantë duhet të jetë nga ana e palës shqiptare, që të mos lëshojë pe në ato që janë favore të imponuara nga bashkësia ndërkombëtare për politikën e Beogradit. Ju e dini se në politikë ka gjithmonë kompromise, por ato kanë limitet e veta. Në Kosovë mund të ketë decentralizim në raport me decentralizmin që bëhet në rajon, në përputhje me parimet ndërkombëtare, sidomos të Bashkimit Evropian. Nuk bënë që Kosova të jetë jashtë agjendës së decentralizmit të vendeve në rajon, sepse çdo tentim për të kufizuar vetëm Kosovën, si kusht për t'u bërë decentralizmi, është kundër efektiv dhe i pa dobishëm edhe për shqiptaret e Kosovës, edhe për bashkësinë ndërkombëtare por edhe për vetë pakicën serbe në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh qëndrimet e skajshme në mes të Prishtinës dhe Beogradit mbi këtë çështje, si e shihni ju arritjen e një marrëveshjeje për përmirësimin e pozitës së pakicës serbe në Kosovë ?

AHMET ISUFI
Natyrisht standardet gjithmonë janë të parapara në çdo vend ku synohet demokracia dhe Kosova ka një synim të tillë. Mirëpo, standardet nuk duhet të jenë kusht për statusin e Kosovës. Standardet duhet të jenë qëllim i Kosovës, i institucioneve të saj dhe popullit të Kosovës që të barazohet me nivelin e demokratizimit në Evropë. Jo që të merren si kusht, sepse me kushte sa herë që bëhen zgjidhjet bëhen të dëmshme për politikat e brendshme të një vendi, por normalisht dëmton edhe interesat e përgjithshme në rajonin ku bëhet një formë e tillë e demokratizimit të shoqërisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët ndërkombëtarë kohët e fundit kanë dhënë mesazhe të qarta se pavarësia është një prej opsioneve në tavolinë. Opsioni më i përfolur ndërkaq është pavarësia e kushtëzuar. Çfarë mendimi keni për një status të këtillë?

AHMET ISUFI
Kosova ose do të ketë pavarësi, ose nuk do të ketë rregullime të tjera, sepse së pari duhet të shihet vullneti politik i popullit të Kosovës, jo vetëm në këtë periudhë, por në periudhat e vazhdueshme të mëhershme. Dhe ky është realitet i krijuar, e dëshiron apo nuk e dëshiron dikush.
Por, kushtëzimin sot e ka Kosova, ka njëfarë pavarësie të brendshme, sepse funksionon, ka një administrim ndërkombëtar, që në fakt është një agjendë deri në fund të zgjidhjes së statusit të çështjes së Kosovës. Por, nuk mund të jetë e kushtëzuar, sepse me kushtëzime nuk mund të zhvillohet asnjë vend. Ju po e shihni se sa kushtëzime sot i ka Kosova. Ndërsa, Kosova, në fakt është e pavarur nga Serbia, për arsye se këtu nuk funksion shteti serb, për veç në disa pjesë ku ekzistojnë enklavat e që ende nuk ka një administrim ose një ushtrim të qeverisjes së plotë në këto territore. Përndryshe Kosova është e pavarur, por që tani ka nevojë që të plotësojë të gjithë vakuumin e mbetur në çështjen e funksionimit si vend i pavarur. Kosova duhet të pranohet si e pavarur pa kushtëzime, sepse me kushtëzime, gjithmonë do të ketë pengesa në ecje. Populli jonë duhet të frymojë lirshëm, duhet të ketë standarde që i synojnë popujt e tjerë për t'u demokratizuar dhe për të jetuar bashkë dhe në asnjë mënyrë nuk bëhen të paragjykohen statuset, të cilët dëmtojnë interesin edhe të vetë bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe derisa Kosova tashmë ka hyrë në këtë proces negociator, kosovarët përballen me një gjendje të rëndë sociale. Si ish Ministër i Mirëqenies Sociale, ku e shihni ju rrugëdaljen nga gjendja aktuale?

AHMET ISUFI
Unë thellimin e krizës më se shumti e shoh në këtë aspekt, sepse kemi një rritje të varfërisë në Kosovë, nga 12 përqind sa ka qenë para pesë vitesh, tani kemi 15 përqind e më tepër. Do të thotë është në vazhdimësi rritja e varfërisë. Gjithashtu kemi një strukturë të gjerë të pensionistëve të kategorive sociale, që përbëjnë afër 10 për ind të popullatës, që është nën mbikëqyrje sociale, gjë që rëndon buxhetin dhe ekonominë e Kosovës dhe në përgjithësi i dëmton interesat e Kosovës. Në të njëjtën kohë kemi një papunësi shumë të madhe, e cila për çdo vit i shtohet kontigjentit prej 25 mijë të papunëve, të cilët janë barrë për shoqërinë e Kosovës. Por, do të thosha, se zgjidhja e statusit të Kosovës do të ndihmonte shumë, për arsye se ne do të kishim mundësi të funksionojmë me parametrat që janë përcaktuar edhe më marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos në aspektin ekonomik.

INTERVISTOI: NADIE AHMETI

XS
SM
MD
LG