Ndërlidhjet

LIDHJET PO, POR INSTITUCIONALE


Albana Isufi, Prishtinë

Qytetarët serbë të Kosovës mund të kenë lidhje me Beogradin ashtu siç kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës me Kosovën,por, nuk duhen lejuar lidhjet institucionale të komunave serbe me Beogradin zyrtar, thotë anëtari i delegacionit kosovar në takimin Vjenës, Ardian Gjini.
Anëtari i grupit politik strategjik të Ekipit Negociues, thotë se në shumë nga fushat e diskutuara për decentralizimin kjo lidhje është e logjikshme.
”Ata(serbët) do të mund të shkollohen, do të mund të lëvizin lirshëm, do të mund të flasin gjuhën e tyre, do të mund të marrin literaturë prej Serbisë dhe nëse Serbia në të ardhmen dëshiron t’u japë ndihmë direkte në çfarëdo forme, ajo do konsiderohet si ndihmë, që i jepet Kosovës, do jetë formë e donacionit, ose formë, që do e rregullojmë bashkërisht në të ardhmen”.
Përfaqësuesi i serbëve të Kosovës Randjel Nojkiq, që ishte në Vjenë në kuadër të ekipit të Beogradit, thotë se pala serbe ka kërkuar që të ekzistojnë lidhje speciale me Beogradin.
Sa i përket arsimit, ai thotë se pala serbe mendon se organizimi i kësaj çështjeje duhet bërë në mënyrë horizontale.
“Delegacioni i Prishtinës ka qenë që kjo të bëhet në formë qëndrore, por marrë parasysh situatën nuk është përjashtuar mundësia që të gjindet ndonjë zgjidhje e organizimit mes lidhjeve horizontale mes komunave, por edhe mes komunave dhe Beogradit”, thotë Nojkiq.
Ministri Gjini thotë se një Kosovë e pavarur do të pranojë çfarëdo ndihme, që vjen nga Serbia, por vetëm në formë institucionale. Ai thotë se nëse u ndihmohet komunave të caktuara, nuk duhet të ketë segregacion të qytetarëve.
“Shteti i pavarur i Kosovës do të jetë i hapur për ndihmë prej kujtdo që vjen. Nëse qeveria e Serbisë dëshiron ta ndihmojë ekonomikisht një komunë, në të cilën shumica e popullatës është serbe nuk besoj se ka ndonjë shpjegim logjik, pse të thuhet jo. Mirëpo ajo që duhet të jetë e saktë është se ndihma duhet të jetë e pastër, të shkojë nëpër kanale të pastra, të dihet se në cilin aspekt shkon ajo ndihmë dhe të mos ketë segregacion mes qytetarëve të komunës.”
Randjel Nojkiq, ndërkaq pranon se nga Vjena është bërë e qartë se lidhjet mes komunave serbe dhe Beogradit duhet të krijohen përmes institucioneve të Kosovës.
“Rohan ka theksuar se këto lidhje me Beogradin duhet të krijohen përmes konsultimeve me institucionet e përkohshme, veçanërisht me qeverinë e Kosovës“, ka thënë Nojkiq.
Ndërkohë, Ardian Gjini përjashton lidhshmërinë e komunave serbe me Beogradin në fushën e drejtësisë dhe policisë.
“Drejtësia dhe policia janë sfera shumë të ndjeshme edhe është konfirmuar edhe nga delegacioni serb, se nuk pretendojnë se duhet të ketë lidhje mes pjesëve institucionale të policisë dhe drejtësisë me Serbinë, në cilindo variant, dmth, kjo është një diçka e pajtuar.
Sido që të jetë, përfaqësuesi i serbëve të Kosovës Rangjel Nojkiq thekson se nga takimi i Vjenës është parë se dialogu është i mundshëm dhe se çështjet e hapura mund të zgjidhen vetëm përmes këtij procesi.
“Pavarësisht faktit se ka pasur dallim dhe se ka pasur ngacmime të vogla, mendoj se tëra ka kaluar pa probleme të mëdha”, thotë Nojkiq.
Gjini thotë se pala kosovare do të jetë gjithmonë e gatshme, që krijimin e komunave të reja ta negociojë me shumicën që jeton në komunë, sidomos në rast kur shumica është nga komuniteti serb. Gjini hedh poshtë çdo mundësi që komunitetit serb t’u imponohet diçka që për ta është e papërshtatshme.
“Imponimet nuk janë element i shoqërisë dhe i shtetit, të cilin ne po synojmë ta ndërtojmë dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të bisedojmë për këto çështje“.
Takimi i ardhshëm i dy delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi do të mbahet më 17 mars në Vjenë. Pala kosovare është shprehur e gatshme, që një takim i tillë të mbahet edhe më herët.
XS
SM
MD
LG