Ndërlidhjet

DEMAÇI:"TË DREJTAT E PAKICAVE, VAZHDIM I LIRISË SË SHQIPTARËVE"


Adem Demaçi, veprimtar i njohur kosovar

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, në fillim të kësaj jave kanë nisur bisedat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për decentralizimin, por në kaudër të bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës. Si e vlerësoni Ju këtë takim të parë?

ADEM DEMAÇI
Po, shikoni, kjo është një njohje në përgjithësi dhe është një procedurë që duhet të kalohet. Qëllimi i Serbisë është që të krijojë këtu brenda Kosovës një shtet të vogël, por i cili do ta pengonte Kosovën, ose një projekt rezervë, nëse nuk do të mund ta pushtojë krejt Kosovën, atëherë të paktën ta marrin gjysmën e territoreve më të mira që ka Kosova, me miniera, toka pjelore etj. Me këtë funksion Serbia insiston për decentralizim. Përndryshe Kosova nuk i ka rendet për decentralizim, pasi vetë nuk është e definuar. Decentralizimi është çështje që lidhet me ligjet me kushtetutën, kështu që krejt kjo është lojë me të cilën Serbia dëshiron ta sakatojë Kosovën, ta bëjë të paaftë si shtet dhe pastaj të qeshë ajo dhe të qeshet edhe me botën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, faktori ndërkombëtar, përfaqësues të Grupit të Kontaktit dhe zyrtarë të tjerë kanë thënë se në procesin e bisedimeve decentralizimi dhe pozita e pakicave do të jenë ndër çështjet më të rëndësishme. Si e vlerësoni angazhimin e faktorit politik dhe institucional të Kosovës në këtë drejtim?

ADEM DEMAÇI
Faktori politik dhe institucional i Kosovës ka pak ndikim në këtë punë, sepse bashkësia ndërkombëtare po u grahë zotërinjve tanë. Mirëpo, unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare e ka gabim insistimin e vet, pasi ende është nën ndikimin e kërkesave të Serbisë. Kosova është shtet i vogël, do të jetë shtet i vogël dhe do të përpiqet me mish e me shpirt të bashkohet me Evropën, kështu që krejt përpjekjet që njëherë të bëhet decentralizimi e më pas të deklarohet pavarësia e Kosovës, nga frika se ndoshta Kosova e pavarur nuk do të pranojë t’i zbatojë të gjitha këto standarde që janë shumë në interes edhe të Kosovës edhe të Evropës, janë shpifje dhe gabime, pasi Kosova nuk ka nga t’ia mbajë. Kosova, edhe sikur të mos dojë Evropa, vetë është e interesuar që serbët të jenë të kënaqur. Ne nuk duam t’i bëjmë të njëjtat gabime që i ka bërë Serbia me ne, pasi ne duam që Kosova të jetë për një mijë, dy mijë e pesë mijë vjet. Kështu që, e mira të mirës do të ishte që njëherë Kosova të ishte e pavarur dhe si Kosovë e pavarur, kur hiqen të gjitha frikat, kur hiqen të gjitha dyshimet, kur bëhet e mundur në mënyrë të rregullt, me kushtetutë, me ligjet e me të gjitha, atëherë ne do të jemi në gjendje të plotësojmë të gjitha dëshirat që u takojnë serbëve si qytetarë të barabartë me kosovarët. Gabimi i bashkësisë ndërkombëtare është se po mundohet t’ia bëjë qejfin pesë përqindëshit në dëm të 90 dhe 95 përqindëshit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demaçi, kohët e fundit zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë edhe përfaqësues të Grupit të Kontaktit disa herë kanë theksuar se pavarësia e Kosovës është një nga zgjidhjet e mundshme. Si i shihni ju këto zhvillime?

ADEM DEMAÇI
Pas 31 janarit, pas mbledhjers së Grupit të Kontaktit në nivel të ministrave, kur ata e ndryshuan formulimin e tyre dhe e futën klauzulën e zgjidhjes së problemit të Kosovës sipas dëshirës së shumicës së popullatës në Kosovë, atëherë jemi në terren të përshtatshëm të zgjidhjes sipas vullnetit politik të kosovarëve, domethënë sipas vetëvendosjes, në mënyrë që të bëhet një zgjidhje përgjithmonë, një zgjidhje e qetë, zgjidhje e civilizuar dhe evropiane dhe procedurat që kanë qenë të parapara në kohën kur edhe bota insistonte në rezolutën 1244, e cila Kosovën e shihte si pjesë të pandashme të Serbisë dhe nën sovranitetin dhe integritetin e Serbisë. Ajo formulë duhet të shpartallohet dhe të gjendet mënyra e re e pavarësimit të Kosovës sa më shpejt, në mënyrë që Kosova të mund të kryejë sa më shpejt detyrat veta ekonomike, pasi këtu ekonomia është “llom”. Kosova është bërë një bombë e tempuar e pakënaqësisë së përgjithshme të popullit, edhe për shkak të vazhdimit të kësaj agonie “as ashtu as kështu”, edhe për shkak të vështirësive jashtëzakonisht të mëdha ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, zoti Demaçi si do të ndikojnë këto deklarime të bashkësisë ndërkomëbatre të cilat e përmendin edhe pavarësinë siç e thatë edhe ju, në rrjedhën e mëtejshme të procesit të bisedieve, në fakt si e parashihni ju rrjedhën e mëtejshme të bisedimeve?

ADEM DEMAÇI
Unë mendoj se kjo që thotë Evropa, besoj që nuk tallet, pra nuk është tallje kur mblidhen gjashtë ministra të gjashtë fuqive evropiane edhe Amerika dhe marrin vendime të tilla që të merret parasysh dëshira e shumicë së popullit. Kjo nuk mund të jetë tallje. Unë besoj se këta e panë "njerëzinë" e Serbisë, ta them me një fjalë. Nuk e zgjidhën dot njëqind e sa vjet, kështu që Evropa duhet të shpejtojë këtu. Kjo kthesë që ndodhi nga 31 janari e këndej është një relaksim për palën shqiptare, është një gjë e papritur për palën serbe, por edhe atje dalngadalë kanë filluar t’u çelen sytë dhe kanë filluar të shohin se me ëndrra dhe me hegjemonizma e gjëra të tilla nuk mund të shkohet përpara, prandaj edhe atje po bëhet një përgatitje psikologjike për t’u pajtuar me zgjidhjen e vetme të mundshme historike dhe shkencore lidhur me çështjen e Kosoëvs.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, sipas jush zoti Demaçi çfarë veprimi, cili mund të jetë momenti që mund t’i rrezikojë bisedat për statusin e Kosovës dhe cilat do të duhej të ishin veprimet e tjera në një rast të tillë?

ADEM DEMAÇI
Nuk ka rrezikim të statusit të Kosovës. Nëse serbët mbeten në këtë garniturë apo pas zgjedhjeve të prillit që ata mendojnë se do të vijnë radikalët, të cilët nuk ndryshojnë aspak – kur është fjala e Ksoovës, kur është fjala për hegjemonizëm, kur është fjala për politikën e Milosheviqit, ata pajtohen të gjithë në atë pikë, mirëpo bota e ka rezervën e vet që thotë se nëse ata nuk merren vesh, atëherë do ta zgjidhë Këshilli i Sigurimit. Dhe, nëse KS do ta zgjidhë në bazë të dëshirës së shumicës së popullatës së Kosovës atëherë zgjidhja dihet se cila është, në mënyrë që të mos vuajnë këta popuj të shkretë, të cilat pa fajin e tyre janë duke vuajtur, edhe populli shqiptar si i shtypur, por edhe populli serb, i cili i manipuluar tash e njëqind gjithashtu ka qenë në vuajtje e të gjitha regjimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, krejt në fund zoti Demaçi, si i vlerësoni disa opsione që janë dhënë, sidomos gjatë vitit të fundit për mundësinë e një pavarësie të kushtëzuar për Kosovën?

ADEM DEMAÇI
Neve nuk na pengon prania ndërkombëtare, në qoftë se do ta fitojmë statusin e pavarësisë dhe vetëm atëherë do ta luajë rolin e vërtetë bashkësia ndërkombëtare si këshilldhënëse, deri sa ta krijojmë armatën dhe policinë tonë, sipas normave evropiane. Ne kemi nevojë për ushtri paqësore dhe jopolitike, ne kemi nevojë për një polici jopolitike. Neve sot në polici na janë rrasë të gjitha partitë që i kanë grupet e veta nëpër polici, prandaj as kjo e jona nuk po funksionon si duhet, kurse policitë ndërkombëtare që po vijnë këtu prej 50 vendeve, vetëm sa po e komplikojnë punën, edhe nuk ka polici që e kryen punën si duhet. Domethënë do të fillojë seriozisht që bota të bëhet atëherë si përkrahëse e vërtetë e krijimit të një shteti si duam ne, pra një shtet demokratik, shtet human, për të cilin do të na marrë lakmi bota, i cili do të njohë të gjitha të drejtat e pakicave, jo pse dikush kërkon prej nesh, por pse ne e dimë se të drejtat e pakicave dhe liria e pakicave është në të vërtetë vazhdim i lirisë së shqiptarëve.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG