Ndërlidhjet

BEOGRAD


I dërguari i posaçëm i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, deklaroi sot në Beograd se përveç decentralizimit, temë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, janë edhe trashëgimia kulturore e fetare, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, si dhe ekonomia.
Pas bisedimeve me autoritetet serbe, Ahtisaari paralajmëroi se në Beograd dhe në Prishtinë do t'i dërgojë ekipet teknike që të përgatisin vazhdimin e bisedimeve për çështjet praktike. Ai tha se para vazhdimit të bisedimeve në Vjenë, për rrjedhën e tyre do t'i njoftojë Këshillin e Sigurimit dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, si dhe do të bisedojë me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në konferencën për shtyp në Beograd, Ahtisaari tha se qëllimi i vizitave të tij në Beograd dhe në Prishtinë është që të sigurojë bashkëpunimin e të gjitha palëve. "Mendoj se ato ishin bisedime të mira direkte dhe nuk kam ndërmend të komentoj çdo deklaratë, si ajo se asnjëherë nuk do të nënshkruhet pavarësia e Kosovës. Pas takimit me kryeministrin Koshtunica, mund të them se kam besim të plotë në delegacionin serb, se ai do të marrë pjesë në mënyrë aktive dhe konstruktive në këto negociata deri në suksesin e tyre të plotë. Nuk kam kurrfarë arsye të dyshoj në këtë", tha Ahtisaari. "Këtu u bëj thirrje liderëve që t'i inkurajojnë serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në këto bisedime, por edhe në institucionet e Kosovës", tha Ahtisaari. I dërguari i posaçëm i OKB-së sot në Beograd bisedoi me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, kryeministrin Vojisllav Koshtunica dhe shefin e diplomacisë serbo-malazeze, Vuk Drashkoviq.
Pas Beogradit, ai do të qëndrojë në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG