Ndërlidhjet

LUMA:"NUK PËRJASHTOHET DORËHEQJA E KOSUMIT, ÇEKU KANDIDAT"


Ernest LUMA, zëdhënës i AAK-së

EVROPA E LIRË
Janë parlajmëruar ndryshime në kreun e qeverisë. Për çfarë ndryshimesh bëhet fjale?

ERNEST LUMA
AAK në këtë moment nuk mund zyrtarisht të pohojë dhe as të mohojë asgjë në këtë aspekt. Në orët e pasdites do të dalim me një qëndrim si parti politike, por gjithnjë duke pasur parasysh përgjegjësinë konform zhvillimeve në Kosovë në vitin e rëndësishëm para statusit final, në të cilin është Kosova.
Nuk mund të përjashtohet asnjë zhvillim tjetër. Më vonë AAK do të dalë me qëndrimin e saj zyrtar.

EVROPA E LIRË
Pra, nuk përjashtohet as ndërrimi i kryeministrit?

ERNEST LUMA
Mbase, nuk mund të përjashtohet.

EVROPA E LIRË
Kush është kandidat i AAK-së për kryeministër. Është gjenerali Agim Çeku siç është thënë?

ERNEST LUMA
Është një dinamikë shumë e ngjeshur e zhvillimeve. Z Çeku është emri më potencial i mundshëm, që përmendët, mirëpo deri në qëndrimin zyrtar të radhës nga AAK këtë nuk jam i thirrur apo i autorizuar që ta mohojë apo pohojë. Mund të them vetëm një gjë se gjenerali Çeku është gjithnjë i mirëseardhur në AAK dhe konsideroj se jo vetëm në AAK.

EVROPA E LIRË
Kush i ka marrë këto vendime në AAK?

ERNEST LUMA
Në fakt më tutje, pritet pak më vonë që kryesia e AAK-së të mbajë një takim dhe të dalë me qëndrimet e saj.

EVROPA E LIRË
A ka pasur AAK takime edhe me partnerin e koalicionit-LDK-në?

ERNEST LUMA
Kontakte në asnjë relacion të mundshëm nuk kanë munguar dhe natyrisht aktivitet janë shumë të ngjeshura. Çdo ndryshim sigurisht do të jetë në të mirë të proceseve.

EVROPA E LIRË
Pse po bëhen këto ndryshime?

ERNEST LUMA
Në bazë të informacioneve të mia nuk mund të flasim për asgjë tjetër, pos për angazhimet e të gjithëve përfshirë edhe kryeministrin aktual, Bajram Kosumin, por edhe të gjeneral Çekut, gatishmërinë e tij personale që të gjithë të jemi në shërbim të Kosovës. Nuk është me rëndësi nëse nje njeri është në uniformë, në kravatë, civil apo ushtarak apo kryeministër, deputet apo në çfarëdo përgjegjësie. Është me rëndësi që të gjithë të jemi të përkushtuar në mundësitë, forcat tona. T’i çojmë përpara proceset në këtë vit shumë të rëndësishëm për Kosovën.

EVROPA E LIRË
Cili është qëndrimi i z Kosumi në këtë aspekt?

ERNEST LUMA
Qëndrimi i z. Kosumi natyrisht është në suaza apo në kontura të konstruktivitetit dhe përgjegjshmërisë që ka ai në raport me proceset politike. Gjithnjë duke pasur parasysh punën e madhe që e ka bërë gjate këtyre muajve në krye të ekzekutivit të vendit.

EVROPA E LIRË
A do të ketë ndryshime edhe në postet e ministrave?

ERNEST LUMA
Këto janë hipotetike në këtë moment të prejudikohen, por në funksion të zhvillimeve të mëtejme, në të mirë të Kosovës, gjithçka është e mundur, kur ka dakordim të gjithanshëm.
Thashë si AAK e kemi këtë qasje dhe këtë përkushtim. Dhe për momentin nuk mund të prejudikojë asgjë.
Një gjë në të gjitha këto zhvillime dihet saktë koalicioni do të vazhdojë punën deri në fund të mandatit.

Intervistoi: Albana ISUFI
XS
SM
MD
LG