Ndërlidhjet

SALIHAJ: PËRMBUSHJA E STANDARDIT LIGJOR SIGURON STATUSIN


Jonuz Salihaj, kandidat i AAK-së për Ministër të Drejtësisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Salihaj, ju jeni kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për postin e Ministrit të Drejtësisë. Fillimisht nëse zgjidheni në këtë post, cilat do të jenë prioritetet e punës suaj?

JONUZ SALIHAJ
Ka shumë prioritete. Ju e dini që këto dy ministri janë të reja dhe rregullorja për krijimin e tyre është firmosur që më 20 dhjetor të vitit të kaluar dhe marrja e përgjegjësive është shtyrë pak, mirëpo ka patur kushte objektive për t'u bërë edhe kjo shtyrje. Ndoshta jo e arsyeshme deri në fund, por kjo ka ndodhur. Vlerësimi i parë ishte paraparë të bëhej në fund të marsit. Ju e dini që tani ende s'janë emëruar ministrat dhe ne na pret një punë shtesë, një punë shumë më e gjallë dhe punë më e frytshme, në mënyrë që vlerësimi i parë të jetë pozitiv. Prioriteti kryesor është marrja e kompetencave që i kemi kërkuar deri tani, ai është prioritet kyç. Normalisht kjo duhet të bëhet në bashkëpunim të plotë me ndërkombëtarët, por edhe me misionet e tjera, sepse pa bashkëpunim të ngushtë nuk besoj se do të mund t'i kalojmë të gjitha kompetencat në institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh se fusha e drejtësisë dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë bie në kompetenca të përziera të UNMIK-ut dhe të institucioneve të Kosovës, sa konsideroni se keni hapësirë për të bërë kushtimisht thënë një reformë në këtë fushë?

JONUZ SALIHAJ
Rendi dhe drejtësia janë dy shtyllat kryesore të çdo shteti. Ne jemi në fazën e krijimit të shtetit dhe jemi në fazën e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Unë besoj se ky vit do të jetë vendimtar do të zgjidhet statusi dhe bashkë me zgjidhjen e statusit, do të kalojnë edhe kompetencat në këto dy resorte shumë të rëndësishme qeveritare dhe unë besoj se me gjithë sfidat që shtrojnë para neve dy ministrave të rinj këto dy ministri. Unë besoj se do t'ia dalim me bashkëpunim të sinqertë ndërmjet të gjitha resorteve dhe me bashkëpunëtorët tonë të ngushtë profesionalë, por edhe me të huajt. Besoj se ky është synimi ynë bazë. Ne e dimë pak a shumë se kompetencat janë të skicuara, janë dhënë detyrat në rregulloren 2005/53, ato janë shumë të qarta, nga detyra e parë deri tek detyra e fundit dhe unë besoj që ne me mend ta bëjmë një dinamikë të punës së realizimit të detyrave. Në fund të fundit ju e dini që ky është vlerësuar si standardi me të arritura më të vogla, prandaj detyra jonë parësore është që ta përmbushim këtë standard, në mënyrë që të fitohet statusi politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Vazhdimisht ka patur kritika sa i përket qoftë rendit, qoftë drejtësisë. Është folur për krimin e organizuar, është folur për lloje të ndryshme të krimit. A konsideroni se ju si ministër do të keni në duart tuaja një pushtet të mjaftueshëm që do të kalojë edhe në veprime konkrete?

JONUZ SALIHAJ
Nuk besoj në këto muajt e parë. Ju e dini që kjo qeveri ka në vetvete vështirësi të veprimit politik. Do të jetë shumë vështirë për t'u marrë me këto probleme aq të rënda që në fillim, por unë besoj se të gjitha do të bëhen me kalimin e kohës, me kalimin e kompetencave shkallë shkallë. Është folur shumë për krimin e organizuar, për krimin ekonomik, është folur që nga viti 1999. Ndërkombëtarët s'kanë bërë gjë në këtë drejtim, domethënë janë të arritura shumë modeste, është krijuar një mjegull e madhe në popull, në qytetarët e Kosovës. Unë besoj se ka shumë punë për t'u bërë por duhet të shkojmë shkallë shkallë në mënyrë që t'i arrijmë objektivat dhe besoj se do ta arrijmë këtë.

Intervistoi: Zijadin Gashi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG