Ndërlidhjet

ANALISTËT: NDRYSHIMET NUK DO NDIKOJNË NEGATIVISHT NË PROCESIN E STATUSIT


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Analistët kosovarë kanë komentuar në forma të ndryshme dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi, dhe shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci.
Enver Hasani, profesor i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, është i mendimit se ndryshimet kanë ndodhur si pasojë e dy faktorëve kryesorë.
"Këta faktorë shpjegohen së pari me dinamikat e brendshme të partive politike që kanë formuar koalicionin qeveritar, do të thotë LDK-së dhe AAK-së dhe faktori i dytë lidhet me bisedimet rreth statusit të Kosovës, do të thoja procesit të ngadalësuar të dialogimit".
Këto ndryshime zoti Hasani në rradhë të parë i sheh si rezultate të pakënaqësisë së brendshme të udhëheqësve të partive politike në koalicion. Sipas tij këto ndryshime mund ta përshpejtojnë procesin negociator për statusin e Kosovës.
"Unë besoj se këto ndryshime janë bërë me qëllim të përshpejtimit të atij procesi dhe të konsolidimit më të madh të grupacionit kosovar karshi palës serbe. Pres që procesi politik pas dialogut të zhvillohet me një tempo më të shpejtë."
Ilir Dugolli, nga Instituti kosovar për Politika Zhvillimore dhe Hulumtime, thotë se zhvillimet që kanë ndodhur në skenën politike në Kosovë është vështirë që të identifikohen me saktësi. Megjithatë ai është i mendimit se mosdhënia e llogarive është një prej faktorëve që mund të kenë shkaktuar një lëvizje të fundit.
"Duke u nisur nga qeveria, fakti që s'ka patur raport as për 100 ditët as tani që po bëhet një vit, para Kuvendit. Më tej ka një farë ndjenje se kryeministri në rradhë të parë ka filluar shumë ta anashkalojë dhe partinë e tij. Në anën tjetër pakënaqësia është akumuluar edhe tek partia kryesore karshi kryetarit të Kuvendit."
Zoti Dugolli pohon se këto ndryshime mund të konsiderohen edhe si një leksion për ata që kanë menduar se procesi negociator mund të shfrytëzohet si arsyetim për çfarëdo veprimesh.
"Për secilin person që ka menduar se mund ta shfrytëzojë punën e bisedimeve si mburojë edhe si kohë që t'i lërë anash përgjegjësitë, ose t'u rreket metodave jodemokratike të vendimmarrjes, ose thjesht të mos japë llogari aty ku duhet të japë llogari."
Baton Haxhiu, analist i çështjeve politike është më i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij kur flet për burimin e ndryshimeve në qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës.
"Burimi është tek një arrogancë, burimi është tek një koncept informal për jetën politike dhe natyrisht pastërtia e shtetit të pavarur të Kosovës nuk ka mundur të shkojë me një garniturë të tillë politike."
Zoti Haxhiu mendon se momenti aktual është pikërisht i duhur për t'i bërë këto ndryshime.
"Duhet ta dimë ne të gjithë se ky projekt i negociatave, ky projekt i pavarësisë, është projekt i bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk varet shumë nga serbët dhe shqiptarët. Prandaj serbët dhe shqiptarët janë aty për të relaksuar marrëdhëniet dhe nuk janë për të vendosur për statusin."
Dhe nëse ndryshimet tejkalohen me lehtësi analistët pohojnë se ato nuk mund të kenë asnjë ndikim në rrjedhën e procesit negociator.

XS
SM
MD
LG