Ndërlidhjet

AHTISAARI TAKON PËRFAQËSUES TË PAKICAVE DHE PUSHTETARËT LOKALË


Rrahman Paçarizi,Prishtinë

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari ka vazhduar sot ditën e dytë të vizitës në Kosovë, ai ka vizituar komunën e Lipjanit dhe ka biseduar me përfaqësues komunitetesh dhe me kryetarë të komunave të Kosovës. Përderisa kryetarët shqiptarë të komunave të Kosovës i kanë premtuar zotit Ahtisaari jetësimin e projektit të decentralizimit për të cilin është diskutuar në Vjenë, kryetarët e komunave me shumicë serbe kanë kërkuar nga ai autonomi në gjyqësi dhe polici për komunat e tyre në kuadër të decentralizimit. Në të vërtetë i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, sot fillimisht ka vizituar qytetin e Lipjanit, ku i ka ftuar serbët që të bëhen pjesë e institucioneve, në mënyrë që të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, e më pas ka takuar përfaqësues komunitetesh të ndryshme etnike dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Slavisha Ristiq, kryetar i komunës veriore të Zubin Potokut, tha se bashkësia serbe përmes çështjes së decentralizimit duhet ta zgjidhë problemin e mbrojtjes fizike dhe juridike:
"Para së gjithash kemi tërhequr vëmendjen për autonomi në komunat serbe, kur kemi të bëjmë me drejtësinë dhe policinë," tha zoti Ristiq, ndërkohë që Petar Vasiq, kryetar i komunës me popullatë të përzier të Novo Bërdës tha se raporti numrit të banorëve në komunën e tij është i tillë që tregon se çfarë komune do të jetë ajo:
"Unë nuk e mbështes idenë që të jetojmë njëri pranë tjetrit, por njëri bashkë me tjetrin dhe kjo është rruga e vetme që njerëzit të jetojnë aty ku e kanë vendin e vet," tha Vasiq. Ai tha se zoti Ahtisaari u kishte thënë përfaqësuesve të serbëve se do të merrte parasysh kërkesat e tyre, por ai nuk do të jetë kryesori për të sjellë vendimet. Këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit, sipas rekomandimeve të Grupit të Kontaktit, u ka thënë Ahtisaari.
Ndërkaq, po lidhur statusin, Sabit Rrahmani, përfaqësues i komunitetit ashkali, tha se dëshironte t’i siguronte shqiptarët për mbështetjen në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës:
"Ne kemi kërkuar nga zoti Ahtisaari që të mbështesë proceset në Kosovë. Ka pasur kritika nga disa komunitete, mirëpo dëshiroj t’i siguroj shqiptarët e Kosovës, se e kanë mbështetjen e komunitetit ashkali, ashkalinjtë e Kosovës do t’i përkrahin për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran".
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari ka biseduar sot edhe me përfaqësues të Asociacionit të komunave të Kosovës. Në këtë takim, sipas Fadil Feratit, anëtar i bordit, është folur kryesisht për decentralizimin:
"Ne i treguam se jemi mbështetës të dokumentit që ka nxjerrë Grupi Negociator pas ministrisë së pushtetit lokal të decentralizimit dhe ne garantojmë implementimin e atij projekti, i cili është i bazuar në parimin e afrimit të shërbimeve qytetarëve dhe në Kartën evropiane për Vetëqeverisjen Lokale".
Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisaari nesër e përfundon vizitën treditore në Kosovë, me një konferencë shtypi që është paraparë të mbahet pasdite.

XS
SM
MD
LG