Ndërlidhjet

PRISHTINË


Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të premten në seancë plenare për të votuar përbërjen e re të qeverisë së kryeministrit të mandatuar, Agim Çeku, dhe për të ndërruar kryetarin aktual të Kuvendit, Nexhat Daci, me Kolë Berishën. Paraprakisht, Kryesia e Kuvendit ka kërkuar që Presidenti t’ia dërgojë zyrtarisht këtij organi mandatarin për formimin e qeverisë dhe emrat e kabinetit të tij. Kryetari aktual i Kuvendit, Nexhat Daci, tha pas mbledhjes së sotme të kryesisë, se "nuk do të ketë asnjë minutë zvarritje pas plotësimit të konditave procedurale". "Jemi marrë vesh për të premten, sepse nuk janë plotësuar një numër i kërkesave që kanë ardhur për seancë të jashtëzakonshme", tha Daci. Ndërsa sa i përket vendimit të kryesisë së LDK-së për ndërrimin e tij, tha se nuk dëshiron ta paragjykojë rrjedhën e votimeve për këtë çështje. "Unë do të pres mendimin e deputetëve dhe nuk paragjykoj", tha ai, duke i demantuar me këtë rast, disa akuza që i janë bërë atij për qëndrim antiamerikan. "Edhe një herë po them, ashtu siç e kam përsëritur gjithmonë, se vetëm zoti dhe SHBA-të e shpëtuan popullin tonë nga shfarosja", tha Daci.
Ndërkohë, opozita ka thënë se do të kërkojë nga partitë e koalicionit qeverisës që t'i tregojnë arsyet e ndryshimeve në qeveri dhe në kreun e Kuvendit.
XS
SM
MD
LG