Ndërlidhjet

OPOZITA: KOALICIONI I DJATHTË, ARSYET PËR NDRYSHIMET NË QEVERI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Partitë opozitare në Kosovë konsiderojnë se ndryshimet e fundit në kreun e kuvendit dhe sidomos në qeverinë e Kosovës, kanë qenë të pritura dhe se sipas tyre, këto ndryshime janë bërë me vonesë. Opozita thotë se i ka rekomanduar në vazhdimësi koalicionit LDK-AAK, që një përbërje e tillë e qeverisë në këtë moment të zgjidhjes së statusit të Kosovës është e paaftë që të drejtojë vendin përpara. Zyrtari i lartë i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se koalicioni e ka për obligim që para kuvendit t’i thotë arsyet e vërteta të ndryshimeve në kreun e kuvendit dhe në qeverinë e Kosovës.
“Shqetësimet, argumentet dhe kërkesat tona si PDK, që qeveria Kosumi ka qenë dhe mbetet si qeveria më e dobët në historinë e Kosovës u konfirmuan edhe me rënien e kësaj qeverie. Mirëpo mendoj se do të duhej të jepet llogari para qytetarëve të Kosovës pse vërtetë ndodhi, sidomos në këtë fazë të përcaktimit të statusit përfundimtar dhe çfarë do të sjellë kabineti i ri qeveritar”, tha Hoxhaj.
Enver Hoxhaj thotë në vazhdim se PDK-ja, pret që të shohë se çfarë përbërje do të ketë kabineti i ministrave të mandatarit të nominuar për formimin e qeverisë së Kosovës, para se të flasë për qëndrimet që do t’i ketë si opozitë ditën e vendimit në kuvend për ekzekutivin e ri të Kosovës.
“Ne mbi të gjitha jemi të interesuar që të ketë debat të hapur në Kuvendin e Kosovës dhe aty do t’i shprehim qëndrimet tona”, theksoi Hoxhaj.
Ndërkohë që subjekti i dytë opozitar, Ora mbështet ndryshimet e fundit, ndonëse i konsideron të vonuara. Deputeti i Ora-s, Nazim Jashari thotë se qeveria në dorëheqje, ishte tërësisht e paaftë që të drejtojë proceset në Kosovë, kurse kryetari i kuvendit, Nexhat Daci, sipas tij, ishte ai që nuk lejonte ndërhyrjen e Kuvendit në ekzekutiv, çka është e drejtë kushtetuese.
“Kuvendi i Kosovës nën bllokimin e kryetarit Daci, në asnjë rast nuk e pa të arsyeshme që të merret seriozisht me punën e qeverisë, por vazhdoi në një mënyrë të pandjeshme të merret me probleme të tjera, pa u marr me problemet e qytetarëve të Kosovës. Shkarkimi i Dacit më në fund krijon premisa për një punë më të mirë dhe më të efektshme të Kuvendit të Kosovës, si parakusht për një qeverisje më të mirë dhe më të suksesshme”, theksoi Jashari.
Nazim Jashari vlerëson po ashtu se qeveria e re e mandatarit Agim Çeku, nuk do të duhej të ketë një kabinet të njëjtë të ministrave në qeverinë në dorëheqje të Kosumit, pasi që një përbërje e tillë, thotë ai,ka dështuar kështu që kjo, sipas tij, do të mund t’i kushtonte edhe kredibilitetit të Agim Çekut.
“Do të duhej të bëhej një ndryshim shumë i madh dhe nëse kjo nuk bëhet, zoti Çeku i futet kot politikës dhe se ai vetëm sa do ta vente në lojë një autoritet të tij të padiskutuar dhe nëse futet të udhëheqë një qeveri, e cila do të përbëhej nga ministrat e njëjtë të përfolur për korrupsion dhe paaftësi, atëherë ia nënshkruan vetvetes dështimin qysh në start”, vlerësoi Jashari.
Partia reformiste Ora, e Veton Surroit, në spekulime të ndryshme mediave është përmendur dhe si subjekt politik që mund t’i bashkohet koalicionit LDK-AAK në kabinetin e Çekut, por një mundësi e tillë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

XS
SM
MD
LG