I dërguari i posaqëm i Kombeve të Bashkuara për satusin e Kosovës, Martti Ahtisaari sot po qëndron në Uashington, ku pritet të takohet me zyrtarë të lartë ameriknë dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare. Mbrëmë zoti Ahtisari raportoi para Këshillit të Sigurimit për bisedimet në Vjenë dhe për rezultatet e vizitave të tij në Prishtinë dhe në Beograd. Ai i bëri thirrje shumicës shqiptare që të ndërmarë hapa të shpejtë për mbrojtjen e pakicës serbe, ndërsa nga serbët kërkoi që të përfshihen në institucionet e Kosovës. Martti Ahtisaari tha se bisedimet për decentralizim po fokusohen në përmirësimin e kushteve të jetesës për pakicat, duke shtuar se ai u jep rëndësi të ndryshme standardeve të ndryshme. "Do të përqendrohem në ato që janë absolutisht vitale, si mbrojtja e pakicave dhe përmirësimi i jetesës së tyre", tha zoti Ahtisari, pas takimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.