Ndërlidhjet

SHQIPËRI: IDENTIFIKOHET RASTI I PARË I GRIPIT TË SHPENDËVE


Alma Çupi, Tiranë

Zbulohet rasti i parë i gripit të shpezëve në jug të Shqipërisë në fshatin Çukë të Sarandës. Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana konfirmoi sot zyrtarisht se kampionet e një shpendi shtëpiak që u analizua në një laborator në Kembrixh të Britanisë rezultuan të infektuara me virusin H5N1.
"Në fshatin Çukë të Sarandës është deklaruar dje zyrtarisht nga instituti që përmenda më sipër prania e influencës aviare e tipit H5N1."
Kryeministri Sali Berisha, menjëherë pas zyrtarizimit të pranisë së gripit të shpendëve në Shqipëri, doli përpara mediave për të bërë apel për të mos përhapur panik, pasi bëhej fjalë për raste sporadike dhe jo për epidemi.
"Fakti që u diagnostikuan është dëshmi e një monitorimi serioz dhe i funksionimit të task-forcës të ngritur nga qeveria për këtë qëllim. Dua t'u bëj thirrje dhe të jeni shumë aktivë që t'u shpjegojmë gjendjen qytetarëve, sepse mediat me titujt bombastikë ndikojnë. Natyrisht që ato do përdorin tituj të tillë, por duhet të bëhet e qartë se nuk bëhet fjalë për epidemi të gripit të pulave, por për raste sporadike".
Pas konstatimit të këtij rasti grupet task-forcë janë vënë në lëvizje për të asgjesuar mbi 2000 shpendë në një zonë prej më shumë se 3 km. Ndërkohë Instituti Veterinar do të marrë edhe 1000 kampione të tjera të shpendëve për t'i analizuar. E zonja e shpendëve që ngordhën për shkak të virusit në fshatin Çukë ka pohuar për mediat se është shëndoshë e mirë. Edhe presidenti Alfred Moisiu kërkoi në një deklaratë që grupet e forcës të punojnë për identifikimin e rasteve të tjera dhe izolimin e tyre.

XS
SM
MD
LG