Ndërlidhjet

KOSOVË: GRATË KËRKOJNË MË SHUMË PJESËMARRJE NË VENDIMMARRJE


Nadie Ahmeti, Prishinë

Barazia gjinore është parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, politik dhe social, ka thënë kryeministri në dorëheqje Bajram Kosumi, në një tryezë me temën "Barazia gjinore në Kosovë", e realizuar me rastin e 8 marsit, ditës ndërkombëtare të gruas. Zoti Kosumi tha se gruaja kosovare ende nuk e ka pozitën dhe rolin e dëshiruar në shoqëri.
"Dua të theksoj veçanërisht një çështje. Tani gruaja në shoqërinë në Kosovë e ka vendin e duhur dhe të mundshëm prej të cilit mund të luftojë për të drejtat e veta. Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës kanë bërë ndryshime rrënjësore në legjislacionin e Kosovës dhe në përfaqësimin institucional të gruas në institucione. Dhe krejt këto në favor të pozitës më të fuqishme të gruas në shoqëri."
Qeveria e Kosovës është munduar dhe do të mundohet edhe në të ardhmen për përmirësimin e pozitës së gruas në të gjitha sferat e jetës, ka thënë kryeministri në dorëheqje Bajram Kosumi.
"Qeveria edhe njëherë zotohet se do të punojë edhe më tutje që të forcojë dhe përmirësojë pozitën e gruas, që me pjesëmarrjen e saj në të gjitha sferat e jetës, të jetë kontribuese e shkëlqyeshme për krijimin e shtetit të ardhshëm të Kosovës."
Ndryshe rrjeti i grupeve të grave të Kosovës, i cili përfaqëson 85 organizatat e grave, sot organizoi një manifestim, për të kërkuar siç është thënë, përfshirjen e paraparë të grave në procesin e negociatave për statusin politik të Kosovës. Në një letër drejtuar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të cilën e ka lexuar aktivistja Safete Rugova, është thënë se statusi përfundimtar i Kosovës është çështje edhe i grave të Kosovës.
"Duhet t'u jepet mundësia të marrin pjesë në këtë proces paqësor, i cili do të dizajnojë të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit. Nëse gratë dhe ekspertiza e tyre përjashtohen, procesi negociues si dhe përfshirja në të gjitha proceset e ardhshme demokratike, pa dyshim do të pësojnë dëmtime."
Ikballe Rugova, udhëheqëse e rrjetit të grupeve të grave të Kosovës, ka thënë se pa përfshirjen e plotë të gruas në proceset politike, nuk do të ketë shoqëri të emancipuar dhe demokratike. Ajo tha se vizioni i grave për Kosovën është vizion për një demokraci funksionale dhe mirëqënie ekonomike, për të gjithë qytetarët e saj pa dallim përkatësie. Kjo është arsyeja sipas saj që gratë gjithësesi duhet të përfshihen në procesin e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.
"Gratë nuk janë të përfshira në vendimmarrje. Dhe ne deshëm përmes këtij manifestimi t'i dërgojmë mesazhin qeverisë sonë se ne nuk jemi të kënaqura, se ka gra të afta dhe ato duhet të jenë aty ku e meritojnë."
Ibrahim Agolli, nga Këshilli për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërkaq ka thënë se mospërfshirja e grave në grupin negociator të Kosovës, është dëshmia më e mirë se në Kosovë nuk respektohen të drejtat e gruas.
"Ndoshta mospjesëmarrja e femrës në grupin negociator është kulmi i gjithë asaj dhe më së miri flet edhe për rolin që femra po luan në përgjithësi edhe për të gjitha proceset në Kosovë."
Por kryeministri në dorëheqje Bajram Kosumi ka thënë se gratë nuk duhet të presin nga askush për përmirësimin e pozitës së tyre.
"Gruaja nuk duhet të presë që gjithmonë dikush t'i japë të drejta. Ajo duhet t'i marrë vetë të drejtat e veta. Ajo duhet ta bëjë vetë këtë punë, e përkrahur nga shoqëria po, por ajo duhet të jetë në rradhë të parë që do ta bëjë luftën për të drejtat e veta. Për ta marrë lirinë, për ta ndihmuar shoqërinë, për ta bërë paqen, për ta ndihmuar atdheun, për të ndihmuar bërjen e shtetit askush nuk lyp leje. Thjesht këto punë bëhen".
Sidoqoftë në Kosovë llogariten se 50 përqind e popullatës janë femra, ndërsa shumica e tyre nuk punojnë, pavarësisht nga niveli i lartë i arsimimit që kanë. I vetmi institucion ku gruaja është e përfaqësuar në shkallën 30 përqind është Kuvendi i Kosovës, por edhe kjo përqindje është imponuar përmes një rregulloreje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG