Ndërlidhjet

SYLEJMAN SELIMI- KOMANDANT I RI I TMK-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Me vendim ekzekutiv të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, sot në shtabin qendror të Trupave të Mbrojtjes është graduar në gjeneral lejtënant Sylejman Selimi, duke u emëruar njëkohësisht komandant i përgjithshëm i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, në vend të gjeneral lejtënant Agim Çekut, për shkak të nominimit për kryeministër të ri të Kosovës. Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së TMK-së morën pjesë edhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen. Presidenti Sejdiu tha e quajti TMK-në një nga institucionet më të rëndësishme të Kosovës:
"Është një moment i rëndësishëm që jemi bashkë këtu në ndërrimin e komandës së Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, si një organizatë e rëndësishme dhe e fuqishme e Kosovës, e cila bart traditën e suksesshme të luftës për çlirimin e Kosovës, në këtë fazë të rëndësishme të ndërtimit dhe të mbrojtjes së vlerave të të gjithë qytetarëve të Kosovës."
Presidenti Sejdiu premtoi se TMK-ja do ta ketë mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe e ka nderuar gjeneral Agim Çekun me medalje ushtarake për meritat e tij në formimin dhe transformimin e TMK-së. Ndërkaq shefi i UNMIk-ut Soren Jessen Petersen, tha se ishte moment i pikëllueshëm që gjeneral Çeku po largohej nga udhëheqja TMK-së, por kjo organizatë mbetej në duart e sigurta të gjeneral Selimit, tha Petersen:
"Është një përzierje e krenarisë dhe pikëllimit që gjeneral Çeku ndodhet para jush sot. Krenari për përgjegjësitë e ardhshme dhe për atë që e ka sjellë TMK-në deri në këtë fazë, por pikëllim që po largohet nga këtu," tha Jessen Petersen, duke theksuar se TMK-ja gjatë udhëheqjes së gjeneral Çekut, ka arritur shkallë të lartë të profesionalizmit.
Komandanti i deritashëm i TMK-së, gjeneral Agim Çeku tha se si në të kaluarën edhe tash ishte i gatshëm për t’i shërbyer Kosovës:
"Gjithmonë e kam theksuar se unë do të jem gjithmonë i gatshëm t'i shërbej vendit tim kurdoherë që është e nevojshme. Gjithmonë isha i gatshëm të pranoj çfarëdo sfide sado e vështirë vetëm për të ardhmen e Kosovës. Jam i vetëdijshëm për të gjitha vështirësitë që më presin. Nuk do ta kisha pranuar kurrë largimin nga TMK-ja, po të mos besoja thellë në mbështetjen tuaj, në mbështetjen e qytetarëve të Kosovës dhe në mbështetjen e sinqertë dhe të pakursyer të miqve tanë nga e gjithë bota".
Më pas, shefi i ndërlidhjes ndërmjet KFOR-it dhe TMK-së, ka lexuar vendimin e shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen për promovimin në gradë më të lartë dhe emërimin komandant i përgjithshëm i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, për gjeneral lejtënant Sylejman Selimin.
Gjeneral Selimi nga ana e tij u zotua se do ta vazhdojë transformimin e TMK-së dhe përmbushjen e detyrave dhe obligimeve që shtrohen para këtyre trupave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG