Ndërlidhjet

KOSOVË: KEQARDHJE QË MILLOSHEVIÇI NUK U DËNUA


Vdekja e Sllobodan Milosheviçit në Kosovë është pritur me keqardhjen që ai nuk ka arritur ta presë përfundimin e gjykimit për krimet e bëra. Ekspertë të drejtësisë, veprimtarë dhe përfaqësues të familjarëve të të zhdukurve thanë sot se Sllobodan Milosheviçi ka merituar një përfundim tjetër nga vdekja e natyrshme, edhe pse kanë shprehur keqardhjen për vdekjen e një njeriu.
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku në një deklaratë me shkrim ka thënë se vdekja e diktatorit Sllobodan Milosheviç është një rast i munguar për përballjen e tij me drejtësinë dhe dënimin për krimet e luftës dhe gjenocid në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje. Kryeministri Çeku ka shprehur besimin se, pavarësisht nga vdekja e ish-presidentit të ish-Jugosllavisë, drejtësia do të vihet në vend dhe politika e ideuar dhe e dirigjuar prej tij do të marrë dënimin e merituar, ndërsa me drejtësinë duhet të ballafaqohen sa më parë edhe përgjegjës të tjerë të masakrave në territorin e ish-Jugosllavisë, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiq. Serbisë po i afrohet shansi për të ndërtuar një të ardhme demokratike dhe për të rimëkëmbur raportet me vendet fqinje. Që ky proces të jetë konstruktiv dhe afatgjatë, klasa aktuale politike në Serbi duhet të tregohet kritike ndaj së shkuarës konfliktuale, e cila prodhoi një varg luftërash në rajonin e ish-Jugosllavisë, thuhet në deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku.
Ndërkaq, Hajredin Kuçi, ekspert i të drejtës ndërkombëtare tha se si njeri është për keqardhje çdo vdekje që ndodh në botë, e në këtë rast edhe për Millosheviqin që ka qenë armiku më i madh i shqiptarëve për shekuj me radhë:
"Sido që të jetë mendoj se vdekja e tij në kuptimin politik, në kohën kur ishte në shqyrtim gjykimi i tij është ngecje për drejtësinë ndërkombëtare dhe çdo njeri që e dëshiron paqen dhe drejtësinë ka dëshiruar përfundimin e këtij gjykimi që me një fjalë të vërtetohen verprimet e veprave të gjenocidit, krimeve kundër njerëzit dhe të drejtës ndërkombëtare."
Kuçi tha se vendimi për fajësinë e tij nga tribunali i Hagës do të ndikonte pozitivisht te populli dhe qeveria serbe për t’u vetëdijësuar se në një kohë kanë bërë krim kundër të tjerëve dhe që atë të mos e bëjnë në të ardhmen:
"Me siguri se edhe zhvillimi i deritashëm ka provuar se veprimet e qeverisë së Serbisë, të shtetit serb në kohën e Millosheviçit kanë qenë veprime të inkriminueshme dhe të ndalueshme nga e drejta ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare."
Ndërkaq, analisti Baton Haxhiu, i cili ka qenë edhe dëshmitar i prokurorisë në gjykimin kundër Sllobodan Milosheviçit tha se nëse drejtësia dhe gjyqi nuk kanë arritur ta dënojnë Millosheviçin, atëherë ekziston Zoti që e dënoi atë për atë që ka bërë në Kosovë, Bosnjë e Kroaci dhe për atë që i ka bërë edhe popullit të tij:
"Njeriu i cili realisht ndërtoi një strategji vrasjesh dhe gjenocidale dhe një strategji shtypëse edhe në Serbi përjetoi një vdekje të natyrshme, që është për keqardhje për mua, pasi ai do të duhej të vdiste ndryshe..."
Zoti Haxhiu tha se Millosheviçi është shndërruar në shenjën dhe referencën e vrasjeve dhe gjenocidit për shekullin e kaluar:
"Shpreh keqardhjen për një njeri, por më vjen mirë që ka vdekur një njeri që ka lënë shenja të vrasjeve dhe të gjenocidit në shekullin XX."
Në anën tjetër, Nesrete Kumnova përfaqësuese e asosacionit të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë tha se i vjen keq që njëherë nuk ka arritur të ballafaqohet me Milosheviçin:
"Më vjen keq që ka shkuar kështu pa u maltretuar nga familjarët që e kanë përjetuar dhe po e përjetojnë rëndë ankthin e pritjes së më të dashurve. Kam pasur dëshirë të ballafaqohem drejtpërdrejt me atë figurë kriminele që bëri shumë tortura dhe vrasje."
Zonja Kumnova tha se ashtu si të gjithë njerëzit që ndiejnë dhimbje për humbjen e më të dashurve të tyre për shkak të politikës dhe veprimeve të Millosheviçit, do ta kishte dëshiruar përfundimin e gjykimit të tij:
"Ne e kemi pritur një kohë të gjatë dhe edhe tribunali e zgjati shumë këtë kohë, pasi tribunali ka qenë mirë i njoftuar se nga kush janë bërë krimet- ato kanë qenë krime të urdhëruara nga Millosheviçi- ai paska dhënë jetën lehtë për tragjeditë që ka shkaktuar ."
Ibrahim Makolli, zëdhënës i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë tha se ka mbetur përgjysmë çuarja e drejtësisë deri në fund:
"Vdekja e Millosheviçit në Tribunalin e Hagës ka lënë përgjysmë, me gjithë faktin se shumica e fakteve për krime të luftës të kryera në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci tashmë kanë dalë në shesh, megjithatë, vdekja e tij pa marrë dënimin e merituar nga Tribunali i Hagës për krime të luftës, mbetet një mungesë satisfaksioni në radhë të parë për viktimat dhe familjarët që kanë pësuar drejtpërdrejt nga një politikë militariste e udhëhequr nga Millosheviçi."
Zoti Makolli tha se pavarësisht nga vdekja e Millosheviçit, procesi ndaj politikës militariste serbe do të duhej të vazhdojë, pasi Millosheviçi nuk ka qenë i vetmi në projektimin dhe zbatimin e kësaj politike gjenocidale dhe të krimeve të kryera në Kosovë dhe në vende të tjera.

Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG