Ndërlidhjet

TADIÇ E KOSHTUNICA NGUSHËLLOJNË FAMILJEN MILLOSHEVIÇ DHE PS-NË


Informacioni që arriti në mesditë për vdekjen e Sllobodan Millosheviçit solli një program të jashtëzakonshëm të mjeteve elektronike në Beograd.
Ka shumë reagime, informacione, supozime dhe detaje nga jeta e tij.
Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica i shprehu ngushëllimet familjes së Millosheviçit dhe Partisë Socialiste të Serbisë. Ai tha se nga Gjykata e Hagës do kërkojë raportin për këtë ngjarje.
Vlerësimin e tij e paraqitit dhe presidenti i Bashkësisë shtetërore të Serbisë e Malit të Zi, Svetozar Maroviç.
Ai tha se mënyra se si ka vdekur Sllobodan Millosheviçi përbën një sfidë të madhe morale për Gjykatën e Hagës, meqë opinioni publik tani privohet nga mundësia e njohjes së plotë të së vërtetës për ngjarjet e mëparshme.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç i shprehu ngushëllimet familjes së Millosheviçit dhe Partisë Socialiste.
Sekretari i kësaj partie, themeluesi i së cilës ka qenë Millosheviçi, Zoran Angjelkoviç shprehu mendimin se Sllobodan Millosheviçin e ka vrarë Gjyakata e Hagës. Mendim të ngjashëm ka shfaqur dhe drejtuesi tjetër i kësaj partie, Ivica Daçiç se kjo parti dyshon në vdekjen e natyrshme të Sllobodan Millosheviçit dhe se në marrëveshje me familjen e tij do të merren vesh se ku do të bëhet varrimi.
Nënkryetari i Partisë Radikale serbe, Tomisllav Nikoliç tha se çështja e dy vdekjeve të njëpasnjëshme, e vetvrasjes së Babiçit dhe vdekjes së Millosheviçit hap shumë probleme, veçmas se çfarë po ndodh në Gjykatën e Hagës dhe çfarë do ndodhë me personat e tjerë që gjenden atje.

Marash Berisha
XS
SM
MD
LG