Ndërlidhjet

THAÇI DREJTON DELEGACIONIN E KOSOVËS NË TAKIMIN E 17 MARSIT NË VJENË


Hashim Thaçi do ta kryesojë delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë për decentralizimin që do të mbahen më 17 mars në Vjenë, ka bërë të ditur presidenti i Kosovë Fatmir Sejdiu pas një takimi të ekipit negociues të Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se në këtë takim, ku për herë të parë kanë marrë pjesë edhe kryeministri Agim Çeku dhe kryetari i Kuvendit, Kolë Berisha është vendosur që të bëhen ndryshime, për shkak të natyrës së këtij takimi, i cili dallon nga takimi i 20 dhe 21 shkurtit, kur delegacioni i Kosovës kryesohej nga ministri i pushtetit lokal, tash edhe zëvendëskryeministër, zoti Lutfi Haziri:
"Për shkak të natyrës që do të ketë takimi i tashëm, pasi mund të dalë edhe ndonjë temë rishtas, kemi disa ndryshime të vogla në delegacionin tonë, që janë ndryshime të dakorduara plotësisht dhe kanë konsensus të plotë. Ekipin do ta udhëheqë Hashim Thaçi dhe në ekip do të jenë zoti Lutfi Haziri, z. Blerim Shala, z. Skënder Hyseni, z. Isa Mustafa, z. Sadik Idriz, z. Ylber Hysa dhe z. Ardian Gjini."
Vetë Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, që është partia më e madhe opozitare, tha se në çështje të statusit nuk ka dallime ndërmjet pozitës dhe opozitës:
"Ju e dini se të gjithë jemi pajtuar për të punuar me përgjegjësi të lartë dhe unitet të qëndrueshëm për çështjen e statusit politik, në mënyrë që të implementojmë vullnetin e qytetarëve për shtet të pavarur dhe sovran dhe në këtë drejtim nuk ka dallime ndërmjet pozitës dhe opozitës për çështjen e punës për çështjen e negociatave për zgjidhjen e statusit politik."
Presidenti Sejdiu tha se me këtë rast nuk mund të shtrohet çështja nëse delegacioni i Kosovës udhëhiqet nga përfaqësues të pushtetit apo të opozitës:
"Ne jemi Kosovë dhe punojmë si delegacion i Kosovës. Është nevojë që në çdo temë që do të ketë edhe risi, ne jemi pjesë e një formacioni të plotë, një formacion që është shumë kompetent dhe si të tillë do të punojmë."
Siç është bërë e ditur, në takimin e Vjenës do të diskutohet për financimin e komunave të reja që do të themelohen si pjesë e reformës së pushtetit lokal, pastaj për lidhjet ndërmjet komunave dhe për mekanizmat e lidhjeve ndërmjet komunave të reja të Kosovës me nivelet komunale apo qendrore jashtë Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se do të ruhet funksionimi i pushtetit të Ksoovës në gjithë territorin e saj, por duke pasur respekt edhe për garancitë që do të jepen për pakicat.
Presidenti Sejdiu sot ka takuar për herë të parë në këtë cilësi edhe koordinatorin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhardt Busek, i cili tha se shpresonte për përshpejtim të procesit të stabilizimit:
"Detyra e paktit të Stabilitetit është që të thotë thjesht se Kosova nuk është vrimë e zezë në hartën e Evropës Juglindore. Ajo duhet të jetë e lidhur me të gjitha drejtimet", tha Busek, sipas të cilit Kosova dhe institucionet e saj janë në të njëjtin nivel me ato të rajonit.
Ndërkaq, presidenti Sejdiu tha se kishte shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë aktive e procesit dhe për të dhënë një kontribut edhe për stabilitetin e përgjithshëm të rajonit.

Rrahman Paçarizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG