Ndërlidhjet

MILOSHEVIQI MORRI KOKË MË VETE BARNA


International Herald Tribune

Një prej ekspertëve më të njohur të toksikologjisë në Hollandë dyshon se Slobodan Milosheviqi ka abuzuar me ilaçe për përkeqësuar gjendjen e tij shëndetësore, një plan ky, i cili mund të ketë pasur ndikim në goditjen në zemër që shkaktoi vdekjen e tij. E përditshmja International Herald Tribune shkruan se kjo teori është bërë e ditur nga doktor Donald Uges, profesor i toksikologjisë klinike dhe patologjike ne Universitetin e Groningenit në Hollandë. Sipas tij, Milosheviqi ka mëtuar të dëshmojë se doktorët hollandezë nuk mund ta shërojnë, duke shpresuar se me një dëshmi të tillë, do t’i lejohej një trajtim mjekësor në Moskë, ku do të mund të kërkonte lirinë. Doktor Uges e bazon teorinë e tij në ilaçet që janë gjetur në pasqyrën e gjakut të Milosheviqit, ilaçe këto të cilat nuk i janë përshkruar dhe të cilat jo vetëm që kanë qenë të papërshtatshme, por kanë qenë edhe të rrezikshme për shendetin e tij. Ilaçi i kontestuar është një antibiotik që mban emrin Rifampicin, i cili shërben për të trajtuar infektimet serioze bakteriale, sikur që është tuberkulozi dhe i cili ka kundërefekte nëse merret paralelisht me ilaçet për presion të lartë të gjakut. Gazeta shkruan se policia hollandeze dhe Tribunali Ndërkombëtar në Hagë janë duke zhvilluar hetime të veçanta për vdekjen e befasishme të Milosheviqit. Zbulimi i ilaçit në sistemin e Milosheviqit ka ngritur një sërë çështjesh, përfshirë këtu edhe dilemën se kush e ka futur ilaçin e kontestuar në qendrën e burgut dhe si ka përfunduar ky ilaç në organizmin e Milosheviqit. Policia hollandeze është duke kërkuar gjurmë në tre dhomat e shfrytëzuara më së shumti nga Milosheviqi, në qelinë e tij private, në një dhomë të vogël që ai e shfrytëzonte si zyrë dhe në dhomën ku ai takohej me vizitorët. Policia gjithashtu është duke hetuar edhe prejardhjen e ilaçit, me të cilin është vështirë të furnizohesh në Hollandë. Sipas një dokumenti konfidencial të gjykatës, të gjithë mjekët që e kanë trajtuar Milosheviqin kanë thënë se ata kurrë nuk i kanë përshkruar antibiotikun Rifampicin.
Doktor Uges thote se Milosheviqi vazhdimisht ka pasur tension të lartë dhe se ilaçi që i është dhënë për ta trajtuar atë nuk ka pasur efekt, meqë siç duket ai ka shfrytëzuar një ilaç tjetër për të stimuluar mëlçinë që të neutralizojë medikamentin e dhënë për tension të lartë, shkruan në fund International Herald Tribune.

XS
SM
MD
LG