Ndërlidhjet

BERISHA: PAVARËSI PËR KOSOVËN, RESPEKT PËR PAKICAT


Intervistë e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, dhënë programit shqip, gjatë vizitës në selinë e Radios Evropa e Lirë në Pragë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë probleme, me të cilat Shqipëria ballafaqohet tash sa kohë. Ju keni premtuar luftë kundër këtyre fenomeneve. Sa është bërë në këtë drejtim?

SALI BERISHA
Në fakt këto dy kanë qenë shtyllat kryesore të programit elektoral të Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, këto të dyja mbeten shtyllat kryesore të programit të qeverisjes. Por njëkohësisht unë kam shumë kënaqësi të pohoj se pas 8-9 muajsh në pushtet, u është dhënë një kthesë shumë e qartë këtyre dy problemeve madhore, me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Sot janë shkatërruar dhe vendosur para ligjit organizatat kriminale të Lushnjës, Durrësit, Tiranës dhe një seri grupesh të tjera trafikantësh dhe grupesh kriminale. Bosët e klaneve apo organizatave kryesore kriminale të Tiranës, Durrësit, Lushnjes janë sot të vendosur para ligjit. Tolerancë zero ndaj tyre është dhe do të mbetet motoja e qeverisë sonë. Ka një goditje të vazhdueshme konsistente të trafikantëve të grave dhe vajzave shqiptare, trafikantëve të drogës. Pra unë mund të them se ka një kthesë shumë të qartë në luftën kundër krimit të organizuar. Por kjo është e vërtetë edhe për korrupsionin. Standarde të reja etike janë vendosur në administratë, në mënyrë që të mund të pengohet përdorimi i parave publike për qëllime private. Janë reduktuar me një përqindje shumë të madhe shpenzimet operative të administratës shqiptare. Administrata është nxjerrë jashtë konfliktit të interesit. Janë thjeshtuar procedurat dhe janë bërë shumë më transparente. Ka një vendosmëri të madhe për të adaptuar procedurat më transparente në prokurimet publike dhe për të ngritur së shpejti ombudsmenin e këtyre prokurimeve nga shoqëria civile. Rezultatet janë evidente. Ka një rënie dramatike të percepsionit të korrupsionit për qeverinë. Në rast se më parë ky percepsion ka qenë rreth 77-80 përqind, sot ka zbritur në 22- 23 përqind. Ka një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga taksat dhe tatimet, çka dëshmon se evazioni fiskal dhe kontrabanda kanë marrë një goditje domethënëse. Rritja është rreth 20 përqind. Por mbi të gjitha ka një klimë lirie për bizneset, nuk kanë më shtrëngesën e gjobave të pamerituara, të sekserëve etj. Pra unë mendoj që qeveria ka arritur të shënojë një kthesë që duhet ta thellojë dhe konsolidojë në mënyrë të pandërprerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë keni thënë se do të vazhdoni të merrni pjesë në operacionet paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan. Cili është qëndrimi i përgjithshëm i qeverisë shqiptare në raport me luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar?

SALI BERISHA
Qëndrimi i qeverisë shqiptare në raport me luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar është i qartë dhe i prerë. Qeveria është e vendosur të jetë aty ku Shtetet e Bashkuara, vendi që kryeson luftën kundër këtij terrorizmi, do të jetë. Shqiptarët mbështesin tërësisht qeverinë pa opozitë dhe janë të bashkuar në këtë qëndrim. Ne gjykojmë se lufta kundër terrorizmit, si armik kryesor i paqes dhe lirisë, shembja e diktaturave teokratike dhe diktaturave të tjera, është një kusht themelor për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Evropë dhe në botë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, këto ditë ka patur sinjale jo të favorshme nga Brukseli lidhur me pranimin e vendeve të Ballkanit në radhët e Bashkimit Evropian. Si u përgjigjeni këtyre zërave skeptikë, nëse megjithë premtimet, Brukseli nuk hap dyert e veta për vendet e Ballkanit?

SALI BERISHA
Ekziston një debat brenda Bashkimit Evropian mbi problemin e zgjerimit, një debat i cili është i lidhur më së shumti me çështjen e referendumit të kushtetutës dhe cedimin e tij në dy vende lidhur me problemet buxhetore. Ajo çfarë mund të theksoj është se shqetësimet e vendeve evropiane për problemet e Ballkanit janë të drejta dhe serioze dhe unë nuk mund të mohoj problemet që ekzistojnë. Por nga ana tjetër dua të theksoj se ndryshimet që gadishulli ka pësuar gjatë këtyre viteve janë spektakolare dhe të pamohueshme. Ndaj dhe në këtë kontekst, për debatin që ekziston brenda Bashkimit Evropian, vendet e quajtura të Ballkanit Perëndimor, nuk është se kanë patur ndikim, sepse nëse akuzohet zgjerimi, këto vende nuk përfshihen në zgjerim për cedimin e kushtetutës. Ajo çka unë mendoj është e domosdoshme, është që vendet tona të bëjnë përpjekjet më serioze për të përmbushur standardet. Unë jam dhe mbetem gjithnjë i mendimit se standardet e para për vendet tona, ne duhet të respektohen edhe në rast se ato forcohen. Nga ana tjetër nuk mund të ketë asnjë alternativë tjetër për ne përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e Asociim Stabilizimit për Shqipërinë, Marrëveshja e pranimit për Kroacinë, por së shpejti edhe për Maqedoninë, janë harta e rrugës së vendeve tona drejt Brukselit. Nuk mund të ketë projekt tjetër të vlefshëm përveç këtij projekti. Së fundi nuk duhet harruar se ky rajon është pjesë thelbësore e identitetit evropian, djep i kulturës dhe qytetërimit perëndimor. Në këtë kontekst unë bie dakort dhe mbështes kancelarin Volfgang Shusel, i cili bën fjalë për një rikthim të vendeve të Ballkanit në familjen e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, 16 vjet pas rënies së komunizmit Shqipëria ende nuk është anëtare e NATO-s. Cilët faktorë kanë kushtëzuar këtë ngecje dhe çfarë po bëhet që Shqipëria të zërë vendin në Aleancën Veriatlantike?

SALI BERISHA
Pyetja juaj është e drejtë. Dy gjëra dua të theksoj. Opozita shqiptare është opozita e parë në vendet ish komuniste që ka kërkuar anëtarësimin e saj në NATO, së dyti në këto 16 vjet Shqipëria ka patur bashkëpunimin më loajal, më të ngushtë me NATO-n në të gjitha operacionet që ajo ka kryer, brenda rajonit dhe jashtë rajonit, kudo që ajo ka qenë. Megjithatë Shqipëria ende nuk është anëtare e saj dhe unë mendoj se pengesë kryesore kanë qenë zhvillimet politike në Shqipëri dhe deri diku edhe hapi i reformave ushtarake. Ajo që është shumë e rëndësishme sot, është vendosmëria e kësaj qeverie për të përmbushur të gjitha kërkesat e "Planit të Veprimit të Anëtarësimit", i cili është edhe ky një plan veprimi, që është përfshirë në strategjinë e zhvillimit dhe integrimit të qeverisë, si një hartë rruge për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Po bashkëpunojmë ngushtësisht me Aleancën në reformën e plotë të njësive tona ushtarake, përshtatjen e tyre me standartin e NATO-s, po rritim buxhetin e shtetit për këtë reformë me dy përqind të prodhimit bruto të brendshëm të vendit dhe jemi shumë optimistë që në samitin e parë të zgjerimit të saj, që duket të jetë samiti i Uashingtonit në 2008-tën, të meritojmë ftesën për anëtarësim të plotë në Aleacën e Atlantikut të Veriut.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër, çështja e Kosovës mbetet një ndër problemet e hapura në Ballkan. Si e sheh Tirana zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe çështjen e pozitës së pakicave?

SALI BERISHA
Shqipëria ka mbështetur dhe mbështet qëndrimin, përcaktimin e Bashkimit Evropian për mosndryshim të kufijve ndërkombëtarë, përfshirë këtu kufijtë e Kosovës, moskthimin prapa dhe mosbashkimin e Kosovës me ndonjë vend fqinj. Shqipëria insiston dhe ka insistuar në garantimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të minoriteteve; konstaton me shumë kënaqësi një përkushtim të plotë të udhëheqjes politike të Kosovës në këtë drejtim. Shqipëria ka insistuar dhe insiston në një platformë reale të decentralizimit dhe zbatimit të saj. Besoj dhe jam i sigurtë se platforma që ka paraqitur udhëheqja politike e Kosovës në Vjenë, është një platformë vërtet e shkëlqyer, që mishëron tërësisht parimet e Kartës Evropiane të Autonomisë Lokale dhe Rajonale, mishëron plotësisht parimet e Kartës së Kopenhagenit dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Minoriteteve. Shqipëria mbështet rikthimin e serbëve dhe të shpërngulurve të tjerë në Kosovë, dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, sikundër është e bindur se zgjidhja e vetme që prodhon paqe dhe stabilitet në rajon, është respektimi i vullnetit të popullit të Kosovës për vetëvendosje, pra pavarësia e Kosovës. Në këtë kontekst duke qenë tek kjo radio që kaq shumë ka bërë për lirinë e të tjerëve, shfrytëzoj rastin t'u drejtoj një thirrje vëllazërore të gjithë qytetarëve të Kosovës, që kaq shumë kanë sakrifikuar gjatë gjithë shekullit që shkoi për lirinë e tyre, të angazhohen për të dhënë secili prej tyre edhe një kontribut të ri në procesin e pavarësisë së Kosovës. Dhe ky kontribut konsiston në një mbështetje mbarë popullore për një Kosovë të qytetarëve të barabartë para ligjit, në një qëndrim miqësor, në krijimin e një mjedisi miqësor për pakicat, ku serbët, romët dhe anëtarët e të gjitha pakicave ta ndiejnë veten si në një vend të lirë. Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mënyrë që ata që kanë hezitime, apo që nuk e duan këtë proces, të marrin përgjigjen konkrete të merituar nga qëndrimi i përgjegjshëm i qytetarëve të Kosovës, të cilët po dëshmojnë gjithnjë se sillen si qytetarë të lirë dhe sjellja e qytetarit të lirë nënkupton respektimin e lirive dhe të drejtave të tjetrit. Unë kam shumë besim se nuk do të ketë një ndarje midis vullnetit të qartë politik të udhëheqjes së Kosovës dhe qëndrimit të qytetarëve të Kosovës ndaj lirisë dhe vlerave të kësaj, çka nënkupton pa asnjë mëdyshje respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të serbëve, romëve dhe anëtarëve të tjerë të shoqërisë së Kosovës. Kjo është një çështje themelore dhe në duart e qytetarëve të Kosovës. Unë kam shumë bindje se ata do të dinë ta vlerësojnë këtë element si duhet dhe të venë firmën e tyre përfundimisht në një proces, të cilin ata e meritojnë plotësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kryeministër në emër të dëgjuesve të Radios Evropa e Lirë unë ju falenderoj për intervistën.

SALI BERISHA
Unë ju përshëndes ju, të gjithë ekipin e Radios Evropa e Lirë në gjuhën shqipe, dëgjuesit tuaj, por edhe të gjithë ekipin e kësaj radioje që prej dekadash sjell tek popujt zërin e lirisë.

Intervistoi Melazim KOCI



XS
SM
MD
LG