Ndërlidhjet

GRUPI NEGOCIATOR I KOSOVËS MBAJTI TAKIM PËRGATITOR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupi negociues për statusin ka zhvilluar sot një takim përgatitor në prag të vizitës së zëvendësnegociatorit për statusin, Albert Rohan, i cili pritet të sjellë dhe një dokument për decentralizimin në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se Rohan do të sjell nesër këtë dokument që besohet se është rezultat i takimeve të deritashme Prishtinë – Beograd në Vjenë, mirëpo ky dokument, tha Sejdiu është vetëm një nga materialet në shqyrtim e sipër dhe do të analizohet e komentohet vetëm pasi të jetë studiuar nga grupi negociues dhe ekipet e ekspertëve:
“Rohan do të sjellë një dokument të analizave të tij, por unë s’mund të paragjykoj apo parafrazoj se cila do të jetë përmbajtja e këtij dokumenti, sepse ai është personi që së bashku me Ahtisarin komandon me procesin nga pala ndërkombëtare. Megjithatë është e rëndësishme që ne ta kemi dokumentin dhe t'i shohim se cilat janë vrojtimet e tyre rreth këtij procesi”, tha Sejdiu.
Në vazhdim, presidenti Sejdiu tha se bisedimet po hyjnë në një fazë shumë më dinamike, kurse pritet që së shpejti të hapen dhe çështjet e tjera siç janë ajo e trashëgimisë kulturore e fetare për pakicën serbe në Kosovë. Sejdiu tha se Prishtina nuk do të lejojë kurrfarë të drejte të ex-territorialitetit për Serbinë dhe se për begatitë e veta kulturore do të përkujdeset vetë Kosova:
“Është shumë e natyrshme që Kosova e ka tërësinë e vet dhe si e tillë do të veprojë sikurse veprohet me standarde ndërkombëtare. Ajo çka është vizion themelor i yni, është së shpejti Kosova do të përkujdeset për kulturën e vet, sepse është begati e jona dhe nuk do të lejojmë asnjë formë të komunikimit territorial që dikush tjetër të komandojë me pasurinë e Kosovës”, theksoi Sejdiu.
Grupi negociues sot ka biseduar dhe për raundin e tretë të bisedimeve me Beogradin në Vjenë që do të mbahet më datën 3 prill. Sejdiu tha se ende nuk është caktuar përbërja përfundimtare e delegacionit të Kosovës, por ai tha se nuk parasheh shumë ndryshime nga ekipi që përfaqësoi Prishtinën në takimin e fundit më 17 mars.
Ndërsa duke u ndërlidhur në problemin e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, presidenti Sejdiu tha se delegacioni për statusin do t’i përmbahet një rezolute të miratuar nga Kuvendi që kufiri i Kosovës nuk mund të përcaktohet nga vendet fqinje, por se duhet pritur momentin e përshtatshëm që Prishtina dhe Shkupi të merren vesh rreth kësaj çështjeje.
Po sot, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka vazhduar takimet e tij me udhëheqës të institucioneve të Kosovës, aktivitet ky i tij i rregullt, që kur se Tribunali i Hagës i ka lejuar atij aktivitetin politik. Haradinaj sot ka takuar kryetarin e Kuvendit Kolë Berisha, të cilit tha se i ka ofruar mbështetje të plotë në punën e tij:
“Është një angazhim për të krijuar hapsirë dhe kushte për të gjithë deputetët. Rolin e parlamentit në proceset që po zhvillohen në Kosovë rreth statusit, po ashtu edhe për rolin e kryetarit të Kuvendit në ekipin e unitetit, e po ashtu edhe angazhimin e tij por edhe angazhimet e përbashkëta, që të gjitha këto çështje të marrin dhe përkrahjen e Kuvendit të Kosovës”, pohoi Haradinaj.
Në përgjithësi, aktiviteti politik i udhëheqësve të partive në koalicion, kohëve të fundit është i përqendruar në dinamizmin e proceseve politike, sidomos pas ndryshimeve të bëra në kreun e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.




XS
SM
MD
LG