Ndërlidhjet

PRISHTINË


Zëvendësi i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan ka arritur sot për një vizitë treditëshe në Prishtinë, me ç’rast ka takuar ekipin negociues të Kosovës. Rohan ka biseduar me negociatorët kosovarë lidhur me një dokument që ai ua ka dërguar një natë më parë si përmbledhje e çështjeve që janë diskutuar në dy takimet për decentralizimin të mbajtur në Vjenë.
Pala kosovare nuk ka pasur një përgjigje të menjëhershme lidhur me dokumentin e punës që ka marrë mbrëmë nga z. Rohan, por presidenti Fatmir Sejdiu, që kryeson ekipin negociues, tha se dokumenti do të shikohet me kujdes, ndërsa komentet pala kosovare do t’i bëjë në fazën e ardhshme. Këto komente z. Sejdiu, i bëri pas një takimi të ekipin negociues të Kosovës me zëvendëskryenegociatorin e Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Albert Rohan.
"Deri në këtë fazë është punuar me konstruktivitet dhe pala kosovare do të vazhdojë këtë qasje, dhe në këtë drejtim pala kosovare do të vazhdojë me këtë qasje dhe për çështjen që janë shtruar në këto observime do të japim komentet tona në fazën e ardhshme të punës, në mënyrë që të jemi palë aktive në këtë proces me dëshirën që procesi të ecën shpejt dhe të realizohet synimi ynë natyrisht", tha Sejdiu.
Rohan tha se dokumenti do të jetë një dokument pune, pasi takimi i ardhshëm që mbahet më 3 prill po në Vjenë, do të jetë takim që do të merret në mënyrë më të gjerë në decentralizimin.
"Për këtë arsye ne kemi hartuar një dokument punues, të cilin ua kemi dorëzuar palëve dhe që do të jetë bazë për negociatat në Vjenë", tha zoti Rohan, duke mos shpjeguar detaje të këtij dokumenti
Albert Rohan nesër do të shkojë edhe në Mitrovicë dhe do të takohet në veri me përfaqësues të serbëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG