Ndërlidhjet

ROHAN: NUK DO TË KETË NDARJE TË JASHTME APO TË BRENDSHME TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nuk do të ketë ndarje të jashtme apo të brendshme të Kosovës dhe as autonomi brenda saj, por komunat e reja në kuadër të decentralizimin do të formohen kryesisht në vendbanimet ku jetojnë serbët, do të kenë shumicë të qartë etnike prej 70 deri 80 për qind dhe do të mund të krijojnë lidhje ndërkomunale apo lidhje direkte me jashtë Kosovës, tha sot në Prishtinë, zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Albert Rohan. Ai i bëri këto komente në fund të vizitës së tij treditëshe Kosovës, me ç’rast ekipit negociues të Kosovës i kishte dorëzuar dokumentin e përmbledhur të çështjeve, për të cilat është arritur pajtueshmëri gjatë dy takimeve të mbajtura në Vjenë. Zoti Rohan tha se bashkësia ndërkombëtare përpiqet që përmes decentralizimit të krijojë kushte për të gjithë që të jetojnë në Kosovë. Duke iu përgjigjur pohimeve të djeshme të kryetarëve të komunave veriore të Kosovës, se nëse Kosova do të bëhet e pavarur, ata nuk do të jetojnë në të, zoti Rohan tha:
"Kur prefektët më thanë se nuk mund të jetojnë në pavarësi, nëse ky do të ishte rezultati i procesit të statusit, unë u thashë se ky është vendimi juaj dhe ne nuk mund t’ju detyrojmë të qëndroni," tha zoti Rohan, duke përsëritur se mosinkuadrimi i serbëve në institucione dhe në shoqëri është kundërprodutiv dhe ata duhet ta pranojnë dorën e bashkëpunimit që ua ka shtrirë kryeministri Çeku.
Zëvendëskryenegociatori Rohan tha se komunave do t’u jepen kompetenca maksimale dhe ato do të menaxhojnë vetë çështje e tyre, natyrisht brenda kufijve ligjorë dhe në këtë kuadër, ato do të mund të krijojnë lidhjet ndërmjet vetes, por nuk do të mund të krijojnë entitete të veçanta, dhe ne do t’i kundërvihemi secilës ndarje apo ndarje të brendshme të Kosovës, si dhe krijimit të ndonjë shtrese të tretë të qeverisjes, ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, tha Rohan:
"Bashkësia ndërkombëtare është unanime se çdo ndarje e Kosovës është e papranueshme dhe do të refuzohet," tha diplomati austriak që ka kryesuar dy takimet lidhur me decentralizimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Vjenë. Rohan tha se nuk mund të bëhet fjalë për autonomi brenda Kosovës:
"Në dokumentin tonë nuk përmendet fjala autonomi, por bashkëpunimi për çështjet praktike, gjë që është në pajtueshmëri me Kartën Evropiane të pushtetit lokal," tha Rohan, i bindur se pala kosovare nuk ka arsye të refuzojë këtë formë bashkëpunimi, pasi secila komunë mund të bashkëpunojë me jashtë, në kuptimin që mund të marrë donacione dhe ndihma nga jashtë, por ato duhet të jenë transparente.
Zoti Albert Rohan tha se në takimin e të hënës do të diskutohet për kufijtë e komunave dhe për krijimin e komunave të reja, me ç’rast parim udhëheqës do të jetë që komunat të jenë funksionale dhe të qëndrueshme, që do të thotë se nuk do të lejohet krijimi i komunave të vogla, por ato do të jenë komuna me madhësi të arsyeshme dhe me përqindje të qartë të shumicës etnike. Rohan tha se kjo është dëshirë e palës serbe, që bashkësia ndërkombëtare e mbështet.
Zëvendëskryenegociatori për statusin e Kosovës, Albert Rohan tha se nuk mund të imagjinojë se decentralizimi mund të jetësohet ndarë nga zgjidhja përfundimtare, prandaj implementimi i decentralizimit do të nisë kur të zgjidhet statusi.

XS
SM
MD
LG