Ndërlidhjet

KURTI: DECENTRALIZIMI, PËRPARA SOVRANITETIT, E COPTON KOSOVËN


Albin Kurti, drejtues i Lëvizjes Vetvendosje

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, delegacioni i Kosovës me disa vërejtje miratoi dokumentin e AhtIsarit për decentralizimin dhe njëkohësisht vendosi t'i vazhdojë bisedimet me Beogradin në Vjenë. Si e shihni ju pozicionin e Kosovës në këto bisedime dhe qasjen që ka pozita dhe opozita për këto bisedime?

ALBIN KURTI
Politikanët negociatorë të Kosovës nuk po negociojnë për ta përmirësuar gjendjen dhe pozitën e Kosovës, por për ta mirëmbajtur pozicionin e tyre politik. Ndaj çdo gjë që do t'u servohet nga bashkësia ndërkombëtare, nga zotërinjtë Ahtisari dhe Rohan këta do ta pranojnë pa problem vetëm e vetëm që të dalin para kamerave, vetëm e vetëm që të shkojnë në Vjenë e në këtë mënyrë të duket se kanë një lloj pushteti.
Unë nuk besoj se ata brengosen për Kosovën, këtë gjë ata e kanë dëshmuar për vite me rradhë, por tërë kohën ata mendojnë se si ta mbijetojnë zgjidhjen e padrejtë të statusit të Kosovës. Pra kalkulimi i tyre nuk është se ku po mbetet Kosova, por ku po mbeten ata pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni shprehur gjithmonë vërejtje ndaj procesit të decentralizimit dhe qasjes së Kosovës ndaj këtij procesi. Ku qëndrojnë shqetësimet tuaja?

ALBIN KURTI
Decentralizimi, përpara sovranitetit për Kosovën, e copton Kosovën. Pushteti i decentralizuar nuk do t'i shkojë më afër qytetarit, por do t'i shkojë më afër Beogradit. Kudo nëpër enklava në Kosovë, të cilat bëjnë 25% të territorit të Kosovës, pushtetin e kanë strukturat e Serbisë dhe pa u shpërbërë këto struktura pushteti do t'u kalojë sërish atyre, përkatësisht Serbisë. Qëllimet e decentralizimit janë shumë të këqija, të rrezikshme e të dëmshme, madje jo vetëm për të ardhmen tonë të afërt. Ato janë zgjerimi i enklavave ekzistuese, legalizimi dhe zyrtarizimi i enklavave dhe strukturave aty, pastaj ndërlidhja territoriale e enklavave dhe përfundimisht krijimi i entitetit autonom serb brenda Kosovës.
Prandaj njëherë duhet sovraniteti për Kosovën e pastaj decentralizimi. Decentralizimi para sovranitetit është gabim në hapa dhe me pasoja fatale.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, zoti Kurti bazuar në deklaratat e zotit Rohan në Kosovë nuk do të ketë entitete të reja, ndarje apo autonomi. Atëherë ku bazohen dyshimet dhe shqetësimet tuaja lidhur me deklaratat në fjalë?

ALBIN KURTI
Shumë politikanë edhe ndërkombëtarë, edhe vendorë thonë se Kosova nuk do të ndahet dhe serbët nuk do të fitojnë ndonjë autonomi brenda Kosovës. Në fakt Kosova është e ndarë dhe veriu i Kosovës, jo vetëm që ka autonomi, por ai është një shtet brenda autonomisë së Kosovës në kuadër të Serbisë. Dihet që Kosova e ka jo vetëm UNMIK-un mbi kokë, por dhe Serbinë mbi qafë. Kështu që shqetësimi jonë bazohet në realitetin faktik e kjo është që Kosova realisht është e ndarë. Nuk është çështja se si të mos lejohet ndarja e Kosovës, çështja shtrohet se si të bashkohet ajo. Dhe duke thënë politikanë dhe diplomatë të llojllojshëm se Kosova nuk do të ndahet, ata duan vetëm ta relaksojnë popullin dhe të krijojnë iluzionin se njëmend Kosova nuk është e ndarë, ndërkoë që realititeti në terren është tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë shpesh se decentralizimi do shpejtojë zgjidhjen e statusit të Kosovës. A e shihni këtu një fleksibilitet të udhëheqësve të Kosovës që të ecet përpara me këtë proces, në mënyrë që t'i hapet rruga zgjidhjes së statusit përfundimtar.

ALBIN KURTI
Përderisa liderët që kryesojnë partitë politike dhe institucionet nuk brengosen aq shumë për sovranitetin dhe statusin e Kosovës, ka dhe shumë politikanë të tjerë në kuadër të partive politike dhe në pozita më të ulëta në institucione, që janë naivë. Ata vërtet besojnë se duke bërë lëshime për decentralizimin ndërkombëtarët do të na shpërblejnë me pavarësi dhe sovranitet. Kjo nuk është e vërtetë, meqënëse Kosova po coptohet në terren Serbia nuk do lëshojë pe. Serbia po e instrumentalizon minoritetin serb në Kosovë, siç ka bërë gjithmonë, për aspiratat e saj për më shumë territore.
Përderisa politikanët tanë kërkojnë më shumë kompetenca, më shumë ministri, më shumë administratë formale dhe simbolike ku do punësojnë kushërinjtë e tyre, Serbia si gjithmonë kërkon më shumë territore.
Unë mendoj se është idiotizëm politik të presësh që pasi ta coptosh Kosovën në terren të bëhesh sovran dhe i pavarur. Në fakt është e kundërta, sovraniteti së pari e parandalon copëtimin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Rrjedhimisht zoti Kurti, bazuar në këto që thatë, si e shihni ju përfundimin e bisedimeve për statusin e Kosovës?

ALBIN KURTI
Qëllimi i Serbisë do të realizohet. Këto negociata nuk janë negociata që çojnë në një kompromis që është nga mesi i qëndrimit të palëve, pra as pavarësi, as autonomi, por diçka në mes, por madje do jetë, me ndryshime shumë të vogla, autonomi substanciale, ashtu siç e parasheh rezoluta 1244. Dhe për më tepër edhe me një shtet të serbëve brenda Kosovës. Përfundimisht kjo do ta pamundësonte edhe daljen e Kosovës nga Serbia edhe daljen e Serbisë nga Kosova.
Prandaj këto negociata duhet të ndërpriten sa më shpejt, pasi aq më mirë e më lehtë do të jetë. Duhet të ndërrohet dhe kursi politik kah vullneti i popullit të Kosovës, kah vetvendosja për Kosovën. Nuk negociohet për shtëpinë tënde, nuk negociohet për tokën tënde. Këto janë gjëra të panegociueshme. Duhet të ndërpriten këto negociata, duhet të ndërpritet realizimi i decentralizimit dhe përfundimisht gjithë proceset politike të vihen mbi baza të shëndosha, që janë në përputhje me vullnetin, interesat dhe historinë e këtij populli.
Unë mendoj se këtu nuk ka dy anë, është vetëm njëra anë që është legjitime, kredibile dhe e qëndrueshme. Dhe ky është populli. Këtu nuk mund të kemi dy anë, edhe popullin e Kosovës, edhe aspiratat hegjemoniste të Serbisë. Nëse e vendosim problemin në këtë kontekst atëherë me siguri kjo do shpjerë në një luftë të re. Problemi i Kosovës i takon popullit të Kosovës dhe ai duhet ta zgjidhë atë. Problemi është se ky popull nuk po pyetet.
Unë mendoj se Kosova nuk është problem, por Kosova e ka një problem madhor. E ky problem quhet Serbi. Bashkësia ndërkombëtare këtë e di shumë mirë, por ajo po i bën lëshime të padrejta e të dëmshme Serbisë edhe sot e kësaj dite.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG