Ndërlidhjet

A MUND TË KEMI GJYKATA TË PAVARURA?


Ministri i Drejtësisë në Shqipëri ka akuzuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë, - organi më i lartë në sistemin gjyqësor që merret me emërimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve, - se po dërgon sinjale negative për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Marrëdhëniet mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit janë acaruar së tepërmi, pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pranoi si anëtar të tij një gjykatës ndaj të cilit ishte bërë kallëzim penal në prokurori për mos deklarim korrekt të pasurisë.
Përplasja më e fundit ka rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes problemet që ka sot pushteti gjyqësor në Shqipëri. Sipas sondazheve besueshmëria e publikut te pushteti gjyqësor është shumë e ulët. Njerëzit nuk kanë besim se në gjykata jepet drejtësi. Nevoja për reformim në pushtetin gjyqësor është evidente, por nga shumë politikanë aq më tepër nga opozita përgjigja që jepet nuk ofron zgjidhje: gjyqësori është pushtet i pavarur.
Pavarësia e pushteteve është thelbësore për të patur një qeveri të fuqishme për të mbrojtur qytetarët, por jo aq të fuqishme sa të kthehet në një pushtet të pakontrolluar. Qeveria ka nismën për të miratuar ligje, Parlamenti i miraton dhe të dyja këto pushtete duhet të jenë të përgjegjshëm para gjyqësorit. Vetë gjyqësori nuk mund të ketë as pushtetin e kuletës as atë të shpatës. Gjyqësori nuk ka ushtri a polici për të vënë në zbatim vendimet e tij. Ajo që kërkohet dhe ajo që mund të bëjë gjyqësori është të tregojë veten të pavarur politikisht, të shfaqet si mbrojtës i të drejtave të popullit në mënyrë që si politikanët ashtu edhe qytetarët të ndihen të detyruar t'i binden vendimeve të tij. Që gjyqësori të jetë i pavarur duhet të ekzistojë jashtë kontrollit të degëve të tjera të pushtetit, por problemi është që vetë piramida e gjyqësorit duhet të dëshmojë që është në gjendje të kontrollojë dhe të disiplinojë shkallët e drejtësisë. Por pavarësi e gjyqësorit do të thotë që gjykata i mbështet vendimet e saj në ligj dhe jo në politikat partiake, i mbështet ato në parime demokratike dhe jo në pasionet e çastit.
Nuk është hera e parë që në Shqipëri, Këshilli i Lartë i Drejtëisë merr vendime që shkaktojnë trazime politike, siç ishte rasti i zgjedhjes së një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, madje ka patur raste flagrante të ndërhyrjes së gjyqësorit në çështjet e politikës, më i spikaturi i të cilave ka qenë shkarkimi i prokurorit të përgjithshëm nga Parlamenti. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë vendim të Parlamentit, por një vendim që kurrë nuk gjeti zbatim.
Problemi i drejtësisë në Shqipëri është problem tradite, perceptimi dhe reforme. Është problem tradite sepse edhe sot aktualisht njerëzit kur kanë një problem përpiqen ta zgjidhin atë duke iu drejtuar gjithë rrugëve të tjera dhe pasi ezaurojnë gjithshka mendojnë si mundësi të fundit vajtjen në gjykatë. Është problem i agravuar për shkak se u mendua se ashtu si në sistemin shëndetësor, mjekët do të punojnë duke kompensuar rrogën me rushfet, ashtu edhe në drejtësi gjyqtarët do të kompensojnë rrogën në të njëjtën mënyrë. Por nëse në shëndetësi bëhet fjalë për një shërbim që nuk i cënon të drejtën dikujt tjetër, në drejtësi është krejt e kundërta. Me këtë logjikë drejtësia u kthye në mall që shitet dhe blihet dhe për më tepër edhe vetë brenda komunitetit të gjytarëve, kjo gjendje është pranuar dhe kjo është një nga arsyet se pse sot mungojnë zërat reformues nga vetë brenda sistemit. E vetmja rrugëdalja është ndërhyrja në sistem dhe kjo nuk do të thotë cënim i pavarësisë. Parlamenti me vullnet të përbashkët politik, mund të reformojë sistemin e drejtësisë. Nuk duhet harruar që të gjitha institucionet me të cilat ka probleme sot qeveria dhe politika në përgjithësi janë institucione që burojnë nga Kushtetuta e vitit 1998, një kushtetutë që u hartua nga një forcë politike, që u miratua me referendum ku pjesëmarrja me zor arriti 50%. Problemi i drejtësisë është sot problem i gjithë shoqërisë, se pa një drejtësi të pavarur fjala reformë mbetet vetëm retorikë politike.


Lutfi Dervishi
XS
SM
MD
LG