Ndërlidhjet

VJENË: PRISHTINA DHE BEOGRADI MBAJNË RAUNDIN E TRETË PËR DECENTRALIZIMIN


Beqë Cufaj, Vjenë

Në Vjenë sot mbahet takimi i tretë në rradhë i delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me decentralizimin në Kosovë. Pas takimit me zotin Ahtisari dhe pas deklaratave të paradites nga udhëheqësi i delegacionit serb, Simiç dhe udhëheqësi i delegacionit shqiptar, Lutfi Haziri, është filluar me bisedimet. Deri në këto çaste ka patur një prononcim të shkurtër nga zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës dhe udhëheqësi i delegacionit kosovar zoti Lutfi Haziri, i cili ka deklaruar që ai është mëse i kënaqur me rrjedhën e deritashme të bisedimeve. Pala shqiptare është duke provuar në mënyrë maksimale që të jetë konstruktive në bisedimet e deritashme dhe gjëja kryesore është që dokumenti i zotit Rohan, i cili u dërgua në Prishtinë javën e kaluar, është duke u kaluar pikë për pikë nga zoti Rohan me palët nga Beogradi dhe nga Prishtina. Pala shqiptare dihet që i ka përgatitur sugjerimet për pikat e caktuara dhe tani është duke u diskutuar për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërkufitare mes komunave, kurse janë shqyrtuar edhe temat e tjera deri tani, siç kanë të bëjnë ato për lidhjet mes komunave brenda Kosovës për çështje të rëndësishme të arsimit të lartë, kompetencat e Ministrisë së Arsimit apo të komunave për çështje të shëndetësisë dhe për çështje të donacioneve financiare të komunave serbe nga Beogradi. Në anën tjetër burime nga bisedimet e deritashme kanë bërë të ditur se pala serbe ka probleme konceptuale me dokumentin e zotit Rohan. Domethënë serbët insistojnë që të ketë një lloj decentralizimi, siç i thonë ata asimetrik, gjë që do të jetë shumë i vështirë për tu realizuar, sepse faktikisht dokumenti i Rohanit, megjithatë do të mbetet si bazë për bisedimet e mëtejshme këtu në Vjenë. Ka patur gjithashtu paralajmërime se sot do të flitet për çështje që kanë të bëjnë me komunat, përkatësisht komunat serbe; që kanë të bëjnë me ruajtjen e objekteve kulturore dhe religjoze të serbëve dhe pakicave të tjera në Kosovë. Mirëpo sipas gjasave takimi i sotëm do të mbyllet vetëm me dokumentin e Rohanit, kurse në takimet e ardhshme pritet që delegacion tjetër kosovar të flasë konkretisht për aspektin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Ndërsa nga fundi i muajit, do të flitet po ashtu për çështjet konkrete rreth kufijve të komunave, rreth asaj se sa duhet të jetë numri i popullsisë, në këtë rast i pakicës që do të përbëjë komunën, e kështu me rradhë, gjëra këto që i pati paralajmëruar edhe zoti Rohan në Prishtinë dhe në takimin e tij me zyrtarët serbë të komunave serbe në Kosovë. Praktikisht pritet që sot të kalohet vetëm ky dokument dhe nesër zoti Ahtisari do t'i raportojë Grupit të Kontaktit në Athinë, për rezultatet e deritanishme në bisedime në procesin e decentralizimit.
Pas përfundimit të takimit pritet që zoti Rohan të paraqitet para mediave në Vjenë në një konferencë për shtyp, ku ai përveç të tjerash do flasë për rezultatet e bisedimeve të sotme. Pas zotit Rohan do të paraqiten edhe udhëheqësit e delegacioneve në sallën për konferencë për media dhe do flasin për rrjedhën e bisedimeve, për rezultatet e deritanishme dhe për atë se çfarë pritet të ndodhë. Me rëndësi është për t'u theksuar që gjithë ky takim nuk do të nxjerrë ndonjë rezultat konkret, nuk do të ketë një marrëveshje të tipit e merr apo e le. Por për zyrën e Ahtisarit dhe Rohanit është e rëndësishme që të shënohen këto vërejtje dhe sugjerime të palës serbe dhe palës shqiptare, në mënyrë që të vazhdohet më tutje. Thënë shkurt tema e decentralizimit tashmë ka filluar të hyjë në fazën e nxehtë kur priten rezultate konkrete dhe prodhim konkret në këtë fushë.



XS
SM
MD
LG