Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS NDJEKIN BISEDIMET PËR STATUSIN E KOSOVËS


Janes' Foreign Report

Gjatë vitit 2006, sipas të gjitha gjasave, bashkësia ndërkombëtare do të mbështesë një lloj pavarësie për Kosovën, që tashmë administrohet nga Kombet e Bashkuara. Derisa negociatat po vazhdojnë, qëndrimet e serbëve të Kosovës, po vijnë gjithnjë e më shumë duke dalluar nga ato të Beogradit. Shqiptarët e Kosovës në këto negociata po paraqesin një front të bashkuar dhe të njëzëshëm. Ndërsa serbët e Kosovës po përpiqen që zëri i tyre të dëgjohet sa në Vjenë edhe në Beograd. Në pyetje është e ardhmja e popullsisë serbe në Kosovë dhe krijimi i një shteti të qëndrueshëm shumë-etnik. Ndonëse besohet se Kosovës në fund të negociatave do t'i jepet një formë e pavarësisë së kushtëzuar, pavarësia mund të marrë forma të ndryshme dhe varet veçanërisht nga fakti se si pala serbe do të sillet në negociata.
Decentralizimi, liria e lëvizjes, përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës dhe mbrojtja e monumenteve historike dhe fetare serbe, janë çështjet më të ndjeshme për komunitetin serb në Kosovë në këtë kohë bisedimesh. Bisedimet varen edhe nga mënyra e vendosjes së komunitetit serb nëpër Kosovë. Shumica e tyre gjendet në veri të Kosovës, por ka dhe enklava në pjesë të tjera të Kosovës. Veriu i vendit ka shumë pak tregues, për të mos thënë fare, se administrohet nga Kombet e Bashkuara. Serbët që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës kanë lidhje të forta me Serbinë, përfshirë strukturat sociale, furnizimin me energji elektrike dhe shërbimin telefonik. Të gjitha këto shërbime kanë vulën e Serbisë. Çështja kyçe për statusin e Kosovës lidhet me faktin se sa janë të gatshëm serbët e veriut të Kosovës, të lejojnë që të vendosen nën qeverisjen e Prishtinës, në një kohë kur kryenegociatori Marti Ahtisari dhe bashkësia ndërkombëtare këmbëngulin se nuk ka copëtim të Kosovës. Ka disa skenarë të mundshëm në rast të pavarësisë së Kosovës që përfshijnë nga largimi masiv i serbëve deri tek shpallja e një pavarësie apo shkëputjeje nga Kosova nga serbët e veriut të Kosovës, për çfarë Prishtina apo bashkësia ndërkombëtare mund të bëjnë fare pak. Në këto kushte, serbët e Kosovës mund të marrin një qëndrim më të ashpër se Beogradi gjatë procesit të bisedimeve. Por njëherësh, çfarëdo që të jetë rezultati i bisedimeve, serbët e Kosovës duhet të jenë të përgatitur të merren vesh, qoftë me qeverinë në Prishtinë, qoftë me praninë ndërkombëtare afat gjatë që do të jetë në Kosovë, nëse duan të vazhdojnë të jetojnë atje. Por duke fituar një pozitë sa më të favorshme tani në bisedime, tani kjo mund të jetë një sinjal se një numër në rritje i serbëve të Kosovës, po e kuptojnë, madje po e pranojnë, se Kosova po shkon drejt një forme pavarësie në një të ardhme jo të largët.



XS
SM
MD
LG